Kosova lejon lëvizjen e automjeteve me targa serbe në territorin e saj / Photo: AA

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për largimin e regjimit të vendosjes së letrave ngjitëse/stikerave për automjetet me tabela të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Në një njoftim për media, Qeveria bëri të ditur se këtë vendim e ka marrë në mbledhjen e 181-të elektronike.

“Heqja e regjimit të letrave ngjitësve/stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare”, njofton Qeveria e Kosovës.

Të njëjtin vendim, Qeveria e Serbisë e mori gjatë fundit të vitit 2023, ndërsa zbatimi i saj filloi nga 1 janari 2024.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas vendimit të Serbisë për njohjen e tabelave “RKS” në Serbi, tha se pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që tabelat “RKS” të qarkullojnë lirshëm në territorin serb edhe Qeveria e Kosovës do ta marrë një vendim reciprok.

“Vendimin tonë të barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe të vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, tha Kurti.

Tash e dy vjet simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për tabela automjetesh janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021.

TRT Balkan / agjencitë