Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur strukturat paralele serbe në tri komuna. Siç njoftoi Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.
“Pas një koordinimi të ngushtë mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me urdhër të Prokurorisë, Policia sot ka zhvilluar një aksion në mbylljen e strukturave paralele të Serbisë që kanë operuar brenda Republikës së Kosovës”, njoftoi Sveçla.
Ministria i Brendshëm i Kosovës thotë se mbeten të përkushtuar në fuqizim e institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektimin e plotë të Kushtetutës dhe unitaritetit të saj.
“Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, thotë Sveçla.
Policia e Kosovës para një jave në fshatin Vranishtë të komunës së Dragashit në jug të Kosovës mbylli një objekt ku punonin katër komuna paralele, sipas sistemit serb, Dragashi, Prizreni, Suhareka dhe Rahoveci.