Kosova e ka lançuarin sistemin e hallkave elektronike për mbikëqyrjen e dhunuesve apo të dyshuarve për dhunë në familje.
Në lançimin e këtij sistemi mori pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Këto hallka të vendosura në duart apo këmbët e dhunuesve apo të dyshuarve për dhunë në familje, në rastet kur ata i afrohen viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do ta sinjalizojnë nivelin mbikëqyrës lokal dhe atë qendror të Policisë, duke u mundësuar atyre reagimin efikas dhe në kohë.
Pasi pa nga afër demonstrimin që u prezantua, mënyrën se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik, kryeministri Kurti tha se hallkat apo byzylykët, do të luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje.
Kurti tha se ky sistem ka qenë kërkesë e kahmotshme e policisë në mënyrë që të ketë parandalime më efikase dhe hetime më të mira, duke theksuar se problemet më të mëdha janë shkaktuar për shkak të mosrespektimit të urdhrave mbrojtës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në momentin që do të ketë një urdhër mbrojtës nga gjykata tashmë do të funksionojë sistemi për mbikëqyrjen elektronike.
"Ju e dini që ne në vazhdimësi kemi thënë që do të ndërmarrim secilin veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Kemi ndërmarrë shumë veprime gjatë këtyre 16 ditëve kemi pasur shumë takime sensibilizuese gjithandej komunave të Kosovës. Por, mendoj që sot me këtë lansim kjo është ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës", tha ministrja Haxhiu.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky është edhe një sukses i policisë, por edhe sistemit të drejtësisë drejt asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave, por jo vetëm. Ai shtoi se ky sistem do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera në parandalimin e veprave të ndryshme penale por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.