Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se ka marrë përkrahjen e Presidentit kroat, Zoran Millanoviq, për situatën e krijuar në Kosovë pas sulmeve terroriste të grupeve serbe në veri.
Ky qëndrim i presidentes Osmani vjen pas takimit të saj në Zagreb e cila është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu kroat, Zoran Millanoviq.
“Presidenti Millanoviq shumë qartë e dëshmoi, e ritheksoi edhe një herë përkrahjen e tij si president i Kroacisë edhe në raportet me ngjarjet e fundit dhe sfidat e sigurisë me të cilat po ballafaqohet Kosova pas aktit e agresionit të 24 shtatorit”, tha Osmani.
Tutje, ajo tregoi se Kroacia nëpërmjet përkrahjes së Republikës së Kosovës e përkrah paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë. Presidentja Osmani, tha se Kroacia punon që rajoni i Ballkanit Perëndimor të ecë para, e jo ta kthejë rajonin prapa në vitet e 90’ta.
Millanoviq: Serbia duhet të përgjigjet për sulmin e 24 shtatorit
Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq tha se Serbia duhet t’i japë disa përgjigje, për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. Millanoviq tha në një konferencë të përbashkët për media se në bazën e ushtrisë serbe ku u dëshmua se është stërvitur grupi terrorist duhet aprovim për t’u futur aty.
“Për t’u futur aty brenda, duhet të kesh aprovimin e dikujt. Armët, trajnimet, xhirimet që kanë lënë, të gjitha këto gjëra kanë mbetur në dispozicion të Kosovës. Kroacia arriti të luftojë dhe të triumfojë ndaj Serbisë përgjatë historisë, “natyrisht me çmim shumë të madh. Janë krijuar shumë vrasje, gjëra të ndryshme, komplote”, tha Millanoviq ndër të tjerash.