Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (MTL) me Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) të mërkurën në Davos të Zvicrës, ku po zhvillohet Forumi Ekonomik Botëror.
Ministrja e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, ka përfaqësuar vendin në ceremoninë e nënshkrimit, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Kurti tha se marrëveshja e tregtisë së lirë me EFTA-n, përfshirë Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, shënon fillimin e një epoke të re për forcimin e lidhjeve dypalëshe të Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve tregtare.
Negociatat për marrëveshjen filluan në vitin 2022 dhe përfunduan pas katër raundeve bisedimesh.
MTL-ja synon të përmirësojë tregtinë duke ulur ose eliminuar tarifat për mallra dhe shërbime të ndryshme, duke i dhënë Kosovës një qasje më të madhe në tregjet EFTA-s.
Marrëveshja përfshin një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me tregtinë e mallrave, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, lehtësimin e tregtisë, tregtinë e shërbimeve, mbrojtjen e pronës intelektuale, konkurrencën dhe tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, tha Këshilli Federaa i Zvicrës.
Marrëveshja tani kërkon miratim nga organet legjislative të të gjitha vendeve të përfshira përpara zbatimit të plotë të saj.