Kosova po investon gjithnjë e më shumë në modernizimin e ushtrisë.     Foto: Armend Mehaj/Facebook

Kosova ka shprehur ambiciet e saj për anëtarësim në NATO, ndërsa krerët e shtetit tashmë kanë filluar të angazhohen për të formalizuar këtë përcaktim strategjik. Paralelisht, Kosova po punon për modernizimin e ushtrisë, me qëllim përmbushjen e standardeve të NATO-s dhe rritjen e sigurisë së saj.

Këto përpjekje po reflektohen në më shumë aspekte. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, njoftoi se më shumë se 2.500 ushtarakë të Forcës së Armatosur të Kosovës janë trajnuar jashtë vendit gjatë vitit 2022. Numri i ushtarakëve të trajnuar me partnerët ndërkombëtarë është trefishuar, nga 778 në vitin 2021 në 2.547 gjithsej jashtë këtij viti.

“Avancimi profesional i pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Kosovës përbën njërin ndër synimet më të rëndësishme të ministrisë së mbrojtjes, andaj përgjatë këtyre 19 muajve është investuar maksimalisht në financimin e trajnimeve të ushtarakëve tanë përkrah ushtrive të shteteve më të fuqishme aleate”, shkruan Mehaj.

Po ashtu, ai shkruan se ky bashkëpunim me partnerët strategjik në fushën e trajnimeve kontribuon në përmbushjen e vizionit për anëtarësim të Kosovës në NATO.

Rritet buxheti për mbrojtje

Investimet në modernizimin dhe përgatitjen e ushtrisë po reflektojnë edhe në buxhet. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2023, kryeministri Albin Kurti tha se 123 milionë euro do të ndahen këtë vit për mbrojtjen. Një pjesë e këtij buxheti, sipas kryeministrit të Kosovës, do të përdoret për blerjen e armatimit modern për ushtrinë.

“Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes”.

Buxheti i Kosovës për mbrojtje po rritet gradualisht përgjatë viteve. Në tri vitet e fundit ka rritje të theksuar, si në shifra të përgjithshme, ashtu edhe si përqindje e Prodhimit Bruto Vendor. Në vitin 2021 Kosova shpenzonte 72 milionë euro për mbrojtje, në vitin 2022 u rrit në 102 milionë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje tjetër prej rreth 20%.

Në raport me Prodhimit Bruto Vendor, buxheti i Kosovës për mbrojtje u rrit nga 0.83% në vitin 2021, në mbi 1.3% në vitin 2023.

Rekomandimi i NATO-s është që për mbrojtje të shpenzohen rreth 2% nga PBV për vendet anëtare, por shumica e 30 vendeve anëtare nuk e arrijnë këtë shifër.

Buxheti i Kosovës për mbrojtje, në vitin 2020 ka qenë 72 milionë euro, në vitin 2022 buxheti arriti në 102 milionë euro, kurse për vitin 2023 buxheti i FSK-së pritet të jetë 123 milionë euro.

TRT Balkan