Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë ka lansuar platformën për identifikimin e rrjedhjes së të dhënave personale. Në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, u tha se kjo platformë siguron që institucionet të jenë më të përgatitura për t'i siguruar të dhënat personale, rrjedhjen e tyre dhe mbrojtje nga sulmet e mundshme kibernetike.
Komisarja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, tha se ky projekt paraqet avancim shtesë për zbatimin e ligjit dhe forcimin e mekanizmave për kontrolle shtesë.
“Platforma që do ta prezantojmë, e mbështetur nga ambasada amerikane në Kosovë, paraqet një avancim shtesë në angazhimin tonë për ta garantuar zbatimin efektiv të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu, edhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të cilat kanë për qëllim sigurimin e monitorimit të publikimit të paautorizuar të të dhënave personale të qytetarëve tanë. Me gjithë përpjekjet angazhimin dhe përkushtimin tonë të përbashkët, nevojat për forcimin dhe avancimin për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë vazhdon të mbetet prioriteti ynë”, tha ajo.
Lansimi i kësaj platforme është bërë me mbështetje të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë.
Zëvendësshefi i Misionit në ambasadën e ShBA-së, Ralan Hill, tha se ky projekt do t’i ndihmojë institucionet e Kosovës të ndërtojnë qëndrueshmëri edhe të sigurisë kibernetike.
Sipas tij, platforma zbulon shkeljet e të dhënave dhe mbledh informacione për kërcënime kibernetike, duke iu mundësuar agjencive t'i identifikojnë shpejt shkeljet ose rrjedhjet e saj.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur këtë projekt përmes Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, me qëllim që t'i ndihmojnë institucionet e Kosovës të ndërtojnë qëndrueshmëri të sigurisë kibernetike. Kjo platformë zbulon shkeljet e të dhënave dhe mbledh informacione për kërcënimet kibernetike, duke u mundësuar agjencive të identifikojnë shpejt shkeljet ose rrjedhjet. Ai gjithashtu mund të ofrojë informacion mbi aktorët keqdashës dhe vektorët e sulmit, duke përmirësuar reagimin e Kosovës ndaj këtyre krimeve kibernetike. Përmes pjesëmarrjes në këtë program, Kosova po mbron më mirë të dhënat dhe po lufton krimin kibernetik”, theksoi ai.
Lansimin e kësaj platforme e mirëpriti edhe zëvendësambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjelko Spilek.