Kosova regjistroi mbi 1 miliard euro remitenca deri në shtator / Foto: AA

Një miliard e 12,6 milionë euro është vlera remitencave deri në muajin shtator për këtë vit në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se një gjë e tillë paraqet rritje prej 11 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitencave ishin nga institucionet financiare jobankare me pjesëmarrje prej 57,4 për qind, pasuar nga kanalet e tjera me 24,4 për qind dhe bankat me 18,2 për qind.

"70 për qind e dërgesave të mërgatës vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ku Gjermania ka pjesëmarrje me 38,1 për qind, ndjekur nga Zvicra me 17,6 për qind dhe ShBA-ja me 7,5 për qind", thuhet në njoftimin e BQK-së.

Remitencat që vijnë në Kosovë nga kosovarët që jetojnë në vendet e BE-së janë konsideruar shumë shpesh nga udhëheqësit e institucioneve në Kosovë si qenësore për ekonominë e vendit.

Kosova është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor me numrin më të madh të qytetarëve që jetojnë në vendet e BE-së. Në vitin 2017 është llogaritur se mbi 830 mijë qytetarë kosovarë jetojnë jashtë Kosovës, ose rreth 45 për qind e popullsisë së përgjithshme.

AA