Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch (HRW) ka publikuar raportin e 33-të mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2022 në 100 vende të botës.
Në këtë raport vëmendje të veçantë ka marrë pushtimi i Ukrainës nga Rusia, teksa është thënë se Rusia ka bërë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
Nga vendet e rajonit raporti në fjalë ka përfshirë vetëm Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Vlerësuar raportin e HRW-së, TRT Balkan jua sjell vërejtjet e kësaj Organizate mbi trajtimin e të drejtave të njeriut në tri shtetet e lartpërmendura të rajonit.
Vazhdon agonia e Kosovës
Sipas raportit të HRW-së, Kosova pati progres të ngadaltë në llogaridhënien për abuzimet e kohës së luftës, kjo dedikuar dërgimit në Hagë kundër tetë ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Të mbijetuarat e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për marrjen e mbrojtjes, duke përfshirë pak ndjekje penale dhe dështimin e gjykatësve për të lëshuar urdhra mbrojtjeje ndaj dhunuesve, si dhe ulje të dënimeve në rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës.
Mekanizmi i krijuar për vitin 2018 për të siguruar kompensim financiar për rreth 20.000 të mbijetuar të dhunës seksuale të kohës së luftës vazhdoi të ketë shtrirje të kufizuar. Turpi dhe frika nga stigma i pengon disa viktima të kërkojnë kompensim.
Në periudhën janar-gusht sipar HRW-së, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 22 raste sulmesh, kërcënimesh dhe kanosjesh ndaj gazetarëve dhe mediave. Asociacioni raportoi se në shumicën e rasteve gazetarët përballen me ngacmime, kërcënime dhe kanosje në platformat e mediave sociale. Sipas shoqatës, hetimet penale ecin ngadalë që kur ka nisur procesi.
Nuk u bë asnjë progres në kompensimin financiar të pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë të Ballkanit, të cilët ishin viktima të helmimit nga plumbi në kampet tashmë të mbyllura për personat e zhvendosur, të drejtuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Në tetor, progres raporti i Komisionit Evropian për Kosovën vuri në dukje administrimin e ngadaltë dhe joefikas të drejtësisë prej ndikimit të panevojshëm politik. Ai gjithashtu vuri në dukje shqetësimet për fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet kundër gazetarëve, si dhe nevojën për të garantuar barazinë gjinore në praktikë, dhe theksoi nevojën për masa të mëtejshme për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në veçanti romëve, ashkalive dhe egjiptianëve të Ballkanit.
Serbia ngec në shumë segmente
Raporti i HRW-së nuk ishte aspak i këndshëm as për Serbinë. Duke filluar nga qasja kritike ndaj trajtimit të mediave, ku gazetarët e pavarur vazhduan të përballen me kanosje, kërcënime dhe dhunë.
Po ashtu, sipas raportit ndjekjet penale për krimet e luftës mbetën të ngadalta, joefikase dhe të penguara me vonesa.
Në tri nga gjashtë institucionet për fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijët vazhduan të strehohen bashkë me të rritur që nuk kanë lidhje familjare, gjë që i vë ato në rrezik më të lartë dhune dhe abuzimi.
Deri në fund të shtatorit, 61 fëmijë emigrantë të pashoqëruar u regjistruan nga autoritetet serbe. Serbisë i mungojnë procedurat formale të vlerësimit të moshës për fëmijët e pashoqëruar, duke i vënë fëmijët më të rritur në rrezik për t'u trajtuar si të rritur në vend që të marrin mbrojtje të veçantë.
Ashtu siç kujtoi HRW, raporti i progresit i Komisionit të BE-së në tetor për Serbinë tha se nevojiteshin përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar bashkëpunimin midis shoqërisë civile dhe qeverisë, ndërsa sulmet verbale dhe fushatat e shpifjeve kundër organizatave të shoqërisë civile vazhduan.
Bosnjë e Hercegovina me dritë në fund të tunelit
Në vitin 2022, mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk ishte një prioritet i autoriteteve në Bosnjë e Hercegovinë (BeH). Diskriminimi ndaj minoriteteve sipas raportit të HRW-së mbetet një problem serioz.
Ndjekja penale e krimeve të luftës po përparon ngadalë.
Siç thuhet në raportin vjetor mbi progresin e Bosnjë e Hercegovinës, të publikuar nga Komisioni Evropian në tetor, Bosnjë e Hercegovina ka parë dritë në fund të tunelit, meqë iu dha statusi i kandidatit, edhe pse "duhen ende reforma të rëndësishme për të siguruar që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre politike".
Po ashtu, thuhet se Bosnjë e Hercegovina nuk ka bërë progres në aspektin e sundimit të ligjit dhe reformave zgjedhore.