Si sot para 24 viteve përfunduan sulmet e trupave të aleancës veriatlantike - NATO, kundër caqeve ushtarake të Serbisë.
Më 12 qershor 1999, sulmet ajrore të NATO-s pushuan, për t’u futur këmbësoria e NATO-s në territorin e Kosovës dhe për t’i larguar forcat jugosllave-serbe nga aty. E gjithë kjo nën urdhrin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Javier Solana, me çka u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Sulmet ajrore të NATO-s që zgjatën për 78 ditë, u anuluan më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-së, gjenerali Wesley Clark, i raportoi Këshillit të NATO-s se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar ish-presidentin serb Sllobodan Millosheviq të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova.
Kosova në luftën që Republika Federale e Jugosllavisë veçse e kishte nisur në vitin 1998, bënte rezistencë deri në këtë kohë nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga masakrat, djegiet e shtëpive dhe maltretimet që emetuan mediat vendore e të huaja, bota arriti të njohë qartë fytyrën e kësaj lufte që po zhvillohej në Ballkan.
Nga marsi i vitit 1999 deri në qershor të të njëjtit vit, NATO-ja me sulme ajrore kishte ndërhyrë në Kosovë, duke pasur cak disa zona dhe baza të ushtrisë së ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, për ta ndaluar dhunën ndaj popullatës civile kosovare dhe spastrimin etnik të tyre.
Çka pas çlirimit të Kosovës?
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili do të administronte vendin deri në 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Sot, 22 vjet pas zbarkimit historik të NATO-s, rreth 3 mijë trupa të tyre vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.
Megjithatë, tani, marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë konsiderohen ende në krizë. Bisedimet e nisura midis dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) ende nuk kanë përfunduar.
Kosova pret që Serbia ta njohë shtetësinë e saj, në mënyrë që të dyja vendet të vazhdojnë rrugën e tyre të integrimit të plotë evropian.