Kosova synon të bëhet pjesë e Lojërave Paralimpike “Parisi 2024”, ku marrin pjesë sportistë me aftësi të kufizuara nga e gjithë bota.
Në një konferencë për media pasi Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar gjatë muajit gusht si anëtare me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Evropian – EPC, u tha se synimi tani është “Parisi 2024”.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Daulina Osmani, tha se vitin paraprak Komiteti Paralimpik u njoh me të drejta gjysmake dhe tani ajo është anëtare me të drejta të plota.
“Ky është vetëm një hap tutje asaj që do të prisnim në shtator, ku jemi më se të bindur se Komiteti Paralimpik i Kosovës do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, gjë e cila rrjedhimisht edhe do të na mundësojë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike Parisi 2024. Pa dyshim që ky është moment tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit”, theksoi Osmani.
Ajo shtoi se dikasteri i saj ka rritur mbështetjen financiare për 100 për qind për Komitetin Paralimpik të Kosovës.
Presidentja e Komitetit Paralimpik në Kosovë, Njomza Emini, tha se Komitetit Paralimpik i Kosovës në Komitetin Paralimpik Evropian – EPC është votuar edhe nga shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa kundërshtuese ka qenë vetëm Serbia.
“Anëtarësimi ynë në Komitetin Paralimpik Evropian që mori verdiktin final në Asamblenë Gjenerale të mbajtur në Roterdam u bë edhe falë votimit pro të anëtarësimit edhe nga shtetet si Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania, duke shënuar kështu edhe njërin nga rastet e izoluara kur këto shtete nuk rreshtohen kundër Kosovës. Votimi i tillë, pro anëtarësimit në Komitetin Paralimpik Evropian, bëri që ky hap të kundërshtohet vetëm nga Serbia”, theksoi Emini.
Gjatë korrikut të këtij viti, edhe atletët kosovarë paralimpik, Grevist Bytyqi dhe Vjollca Hoxha, janë licensuar për të marrë pjesë në Lojërat Evropiane dhe Botërore në kuadër të Komitetit Paralimpik të Kosovës, hap i cili po ashtu u konsiderua tejet i rëndësishëm drejt “Parisit 2024”.