Kosova synon t'i rrisë mundësitë e turizmit dhe të investimeve me Türkiyen / Photo: AA

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, deklaroi se vendi i saj dëshiron të bashkëpunojë më shumë me Türkiyen në çdo fushë.

Ajo tha se "Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e Türkiyes, e cila është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë tonë. Ne duam t'i zhvillojmë këto marrëdhënie edhe në fushën e turizmit dhe investimeve". Zv/kryeministrja Rexhepi tha se Kosova ka potencial të madh turistik.

"Kosova ndodhet në 'zemrën' e Ballkanit. Ne jemi vend i pasur me kulturën, historinë dhe bukuritë tona natyrore. Ne jemi vend tërheqës në aspektin turistik me malet, përrenjtë dhe strukturën tonë natyrore. Sidomos Prizreni është ndër qytetet më të mrekullueshëm në Ballkan. Për shkak të historisë sonë të përbashkët, shumë turistë turq duan të vijnë këtu të shohin dhe t'i rijetojnë këto vende. Në të njëjtën kohë, kultura dhe traditat tona të ngjashme e rrisin këtë interes", tha Rexhepi.

Duke theksuar se projektet e mundshme të përbashkëta me Türkiyen gjatë Ramazanit do t'i forcojnë edhe më tej marrëdhëniet në këtë periudhë shpirtërore, Rexhepi tha: "Ne jemi një vend ku fryma e Ramazanit ende përjetohet shumë mirë. Ne duam të bashkëpunojmë më shumë me Türkiyen në çdo fushë".

"Türkiye është vendi ynë vëllazëror" Rexhepi vlerësoi investimet aktuale turke në Kosovë dhe tha se kompanitë turke luajnë rol aktiv në projektet kritike të infrastrukturës si aeroporti, rrjeti elektrik dhe se investimet e reja do të kontribuojnë për punësime në vend.

Duke thënë se investitorëve u ofrohen lehtësira të veçanta nga shteti, Rexhepi tha: "Ne jemi vetëm 1,5 orë larg Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi dhe jemi në një pozicion strategjik për të gjitha llojet e investimeve. Türkiye është vendi ynë vëllazëror. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen e Türkiyes, një nga vendet e para që e njohu pavarësinë tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Republika e Türkiyes ka dhënë në fushën e sigurisë dhe zhvillimit".

Ajo theksoi se forcimi i lidhjeve kulturore dhe ekonomike të Kosovës me Türkiyen do të krijojë mundësi të mëdha për të dyja palët.

TÜRSAB, mesazh mbështetës për Kosovën

Zëvendëskryetari i Bordit të Drejtorëve të TÜRSAB, Davut Günaydın, tha se mbështetja e tyre për Kosovën do të vazhdojë gjithnjë e më shumë. "Ofrimi i destinacione alternative jashtë vendit ndaj qytetarëve tanë është misioni ynë i rëndësishëm po aq sa të sjellim turistë në Türkiye.

Në këtë kontekst ne i kushtojmë shumë rëndësi vendeve të Ballkanit. Në këtë rajon ka shumë vepra të trashëgimisë nga të parët tanë dhe bëhet fjalë për një interes serioz", tha ai. Ai thekson se Kosova është një nga këto destinacione të rëndësishme.

"Kosova prej shumë kohësh konsiderohej vetëm një rajon transit dhe ne filluam të punojmë për ta ndryshuar këtë situatë. Ne jemi duke punuar së bashku me operatorët e agjencive tona për të inkurajuar akomodimin në Kosovë", tha Günaydın.

Günaydın shpjegoi se ata ofrojnë të gjitha llojet e mbështetjes për Kosovën në aspektin e promovimit dhe personelit. "Si Akademi TÜRSAB, ne nënshkruam protokoll posaçërisht për trajnimin e personelit të turizmit. Në këtë drejtim ekipi ynë i Akademisë TÜRSAB shkoi në Kosovë për t'u takuar me zyrtarë kosovarë.

Vazhdon mbështetja promovuese dhe punimet promovuese për operatorët tanë të udhëtimeve. Së shpejti ne do të ofrojmë akomodim dhe programe turistike në Kosovë", thotë ai.

Gjatë Ramazanit do të organizohet një program special, potencoi Günaydın i cili tha se planifikojnë të organizojnë programe iftari në përputhje me traditat dhe zakonet në Ballkan dhe se do t'i nxjerrin në shitje para Ramazanit. Pasi tërhoqi vëmendjen se ka një mungesë serioze të personelit në industrinë e udhëtimeve në Kosovë, Günaydın tha se "Ka mangësi në numrin e personelit për të punuar në guida dhe hotele.

Me shkollën tonë të mesme profesionale 'Anadolu' në Ankara ne do të zhvillojmë punime për trajnimin e personelit për hoteleri dhe në sektorin e turizmit në Kosovë. Në këtë kuptim, në Kosovë do të bëjmë një fillim që do të kontribuojë për profesionistët e turizmit".

Më tej, Günaydın shtoi se planifikojnë ta promovojnë në mënyrë më efektive këtë vend duke dërguar rreth 60 agjenci udhëtimesh dhe operatorë turistikë në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë