Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika-Gërvalla, ka bërë të ditur se kanë ulur ndjeshëm tarifat për shërbimet konsullore në ambasadat e Kosovës, të cilat ka konsideruar se kanë qenë shumë të larta.
Gërvalla në një konferencë për media tha se pasi kanë analizuar me kujdes tarifat e shërbimeve konsullore kanë konstatuar se shumica prej tyre janë shumë më të larta se në Kosovë dhe kanë marrë vendim për ndryshimin e tyre.
Ajo tha se në Gjermani, vendin ku jeton numri më i madh i diasporës kosovare, ka hyrë në fuqi ligji për dyshtetësi dhe është bërë urgjente të thjeshtësohen procedurat për rifitim të shtetësisë kosovare.
“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sa i vështirë dhe sa i dhimbshëm ka qenë vendimi për ata mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës, që në mungesë alternative e kanë dorëzuar shtetësinë e Kosovës për ta marrë atë gjermane”, theksoi Gërvalla.
Gërvalla tha se procedurat për rikthimin e shtetësisë janë shkurtuar dukshëm, ndërsa shumica e dokumenteve që nevojiten për rikthimin e shtetësisë mund të merren në E-Kosova.
Ajo shtoi se rifitimi i shtetësisë për të gjithë ata që më herët kanë qenë shtetas të Kosovës do të jetë krejtësisht falas.
Gërvalla foli në konferencë edhe për çështjen e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët serbë të Kosovës të pajisur me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd, ku sipas saj, vendimi lë të kuptojë se aktorë brenda Bashkimit Evropian po punojnë për ndarjen e komunitetit serb në Kosovë.
Ministrja e tha se Kosova nuk duhet të heshtë “përpara këtyre hapave të gabueshëm”.
Ministrja Gërvalla foli edhe për çështjen e të arratisurit nga burgjet e Kosovës, Faton Hajrizit, për të cilin tha se “është ende gjithçka e mjegullt”.
Gërvalla ka thënë se deri më tash kanë pranuar shenjat e gishtërinjve, të cilat pas verifikimit janë përputhur me ato të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës.
“Të presim se si do të rrjedhë. I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike, përfshirë edhe Zyrës së BE-së në Beograd që të ndihmojë në sqarimin e kësaj çështjeje dhe zbardhjen e së vërtetës”, tha Gërvalla.
Ish i burgosuri Faton Hajrizi, i arratisur disa herë nga burgjet në Kosovë, për të fundit herë u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik 2024. Vetëm pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Lloznicë të Serbisë dhe dyshohet se u vra nga autoritetet serbe derisa ishte në arrati, më 19 korrik.