Kroacia po bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës për qytetarët e rajonit, veçanërisht për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të cilët në një numër të madh kompensojnë mungesën e fuqisë punëtore vendase në disa fusha kyç të ekonomisë kroate, kryesisht në turizëm, hotelieri dhe ndërtimtari.
Përderisa qytetarët kroatë, pas hyrjes në Bashkimin Evropian (BE), që nga viti 2013, emigrojnë masivisht në vendet e Evropës Perëndimore në kërkim të kushteve më të mira për jetesë dhe të ardhura më të larta, në Kroaci gjithnjë e më shumë po jepen leje pune për punonjës të të ashtuquajturave vende të treta, pra nga vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Viti i kaluar ishte rekord në Kroaci për numrin e lejeve të lëshuara të qëndrimit dhe punës për punëtorët e huaj, dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kroacisë, më së shumti u dhanë qytetarëve të BeH-së, pasuar nga Serbia, Nepali, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Kroacia nga 1 janari i këtij viti u bë anëtare e plotë e zonës Shengen dhe Eurozonës. Kësisoj është bërë edhe më tërheqëse për qytetarët e huaj të punojnë dhe të qëndrojnë. Kjo për punëtorët jashtë Kroacisë nënkupton lehtësim që të shkojnë në vendet më të zhvilluara të BE-së. Pas përvojës së tyre në Kroaci, shumë nga punëtorët e huaj shkojnë në vendet e Evropës Perëndimore në kërkim të kushteve edhe më të mira të punës.
Ministria e Brendshme e Kroacisë (MPB) ka hapur zyra të posaçme për të huajt, ku atyre u jepen lejet e punës e qëndrimit dhe dokumentet personale që kërkohen për qëndrim dhe punë legal në Kroaci.
Në Zagreb, në adresën Savski gaj 13, është hapur një zyrë e tillë e MPB-së, ku turma të mëdha krijohen që nga agimi, sepse punëtorët e huaj vijnë herët në mëngjes për të marrë numrin serik për lëshimin e dokumenteve, pas së cilës vijnë në orar të caktuar të ditës për të marrë radhën pa pritur shumë.
Një nga shtetasit e huaj që pret në radhë për dokumentet kroate është iraniania Fereshte Saheli, doktoreshë e fizikës, e cila erdhi në Kroaci për t'u bashkuar me burrin e saj në jetën martesore, por edhe për të punuar në Institutin Ruxher Boshkoviq.
Shkencëtarja Saheli pret në radhë për të marrë një kartë identiteti kroat dhe për t'iu bashkuar bashkëshortit të saj, i cili ka ardhur në Kroaci nga Irani gjashtë muaj më parë, ndërsa ajo vetë ka ardhur një javë më parë.
Saheli e ka fituar titullin doktoreshë e fizikës, ndërsa synimi i saj është që të bëjë dy vjet kërkime shkencore në fushën e fizikës në Institutin Kroat “Ruxher Boshkoviq”, ku tashmë punon bashkëshorti i saj.
“Unë jam larguar nga Irani me bashkëshortin tim për të fituar përvojë shtesë në fushën e fizikës, gjë që e bëj, por në të ardhmen të dy planifikojmë të kthehemi në Iran, në Teheran, ku kam lindur”, tha Saheli.
Saheli tashmë ka qëndruar në disa vende evropiane dhe, para se të kthehet në Iran, i vetmi opsion i hapur për të, thotë ajo, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
“Kroacia është një vend i bukur dhe Zagrebi nuk e ka problemin e ndotjes që është i pranishëm në shumë qytete të mëdha”, thotë Saheli.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kroacisë, vitin e kaluar në tregun kroat të punës kanë marrë ose kanë vazhduar lejen e punës 124.121 persona, që është 42.166 më shumë se në vitin 2021. Në vitin 2022, në Kroaci kanë punuar 36.783 qytetarë të BeH-së, 19.176 qytetarë të Serbisë, 12.222 të Nepalit, 10.053 të Maqedonisë së Veriut dhe 8.979 qytetarë të Kosovës.
Ndër punëtorët e huaj më të shumtë janë shtetas të Nepalit, Bangladeshit, Indisë, Filipineve dhe Ukrainës.
Numri më i madh i lejeve për qëndrim dhe punë në Kroaci në vitin 2022 janë dhënë për ndërtim (53.772), turizëm dhe hoteleri (32.306), për industri (16.932), për sektorin e transportit dhe komunikimit (7.336), dhe për bujqësi dhe peshkim (2.957). Profesionet më të kërkuara janë: muratorë, kamerierë, marangozë, punëtori ndërtimi dhe kuzhinierë.
Për dhënien e lejes së qëndrimit dhe punës, punëdhënësi dhe shtetasi i një vendi të tretë duhet të paraqesë një dokument udhëtimi, vërtetim se aplikantët e lejes nuk janë dënuar ligjërisht për vepra penale, një kontratë pune të nënshkruar dhe dëshmi të nivelit arsimor, respektivisht kualifikimet dhe përvoja e punës.