Kosovë: Asnjë subjekt politik ende nuk ka aplikuar për certifikim në KQZ / Photo: AA

Kanë mbetur vetëm katër ditë deri në përfundimin e afatit për dorëzimin e aplikimeve për certifikim dhe listave të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, por ende asnjë subjekt politik nuk e ka bërë këtë hap në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Afati përfundon më 11 dhjetor, në orën 16:00.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ky afat është i pandryshueshëm dhe përcaktohet në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

"Deri më tani, asnjë subjekt politik nuk ka dorëzuar kërkesat për certifikim apo listat e kandidatëve për deputetë. Kjo periudhë aplikimi ka filluar më 1 shtator dhe përfundon më 11 dhjetor 2024, në orën 16:00," deklaroi Elezi.

KQZ ka funksionalizuar një platformë elektronike për lehtësimin e procesit të aplikimit. Përmes saj, subjektet politike mund të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për certifikim dhe listën e kandidatëve. Kjo platformë është krijuar për t'u ardhur në ndihmë partive politike, koalicioneve dhe kandidatëve të pavarur që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike pranë KQZ-së ka krijuar dhe shpërndarë të dhënat e qasjes për partitë e regjistruara, duke u mundësuar atyre përdorimin e platformës elektronike për aplikim. Gjithashtu, kjo mundësi do të jetë në dispozicion për nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur që shprehin interes për pjesëmarrje në zgjedhje.

Afati i dorëzimit të dokumentacionit mbetet i pandryshuar dhe subjektet politike duhet të përmbushin këtë obligim ligjor brenda datës 11 dhjetor.

TRT Balkan / agjencitë