Kosovë, dënimet e rasteve me korrupsion nëpër gjykata janë shumë të ulëta /     Foto: AA

Luftimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të mbetet ende në nivel shqetësues, është thënë në diskutimin "Trajtimi institucional i rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar: Sfidat dhe performanca e sistemit gjyqësor në një vit", të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Në këtë diskutim ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, pjesëtarë të organizatave që merren me monitorimin e institucioneve të drejtësisë, u tha se Kosova ende cilësohet nga raportet e Bashkimit Evropian (BE) dhe raportet tjera ndërkombëtare se "është në një fazë të hershme të përgatitjes në trajtimin e fenomenit të korrupsionit".

Në një raport të publikuar nga GLPS, pas monitorimit të 458 seancave për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në qytetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Ferizajt dhe Gjilanit, u tha se dënimet e rasteve me korrupsion janë shumë shpesh të ulëta.

Dea Fetiu nga GLPS, e cila shpalosi të dhëna nga raporti i monitorimit të gjyqësorit në vend, tha se sipas Kodit Penal kur kemi të bëjmë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, kjo vepër duhet të dënohet me 1 deri në 8 vjet burgim apo nëse përfitimi dhe dëmi kalojnë mbi 5 mijë euro, dënimi duhet të përfshijë burgim plus gjobë 3 deri në 10 vjet.

Ajo tha se në Kosovë ka pasur vepra me dëme milionëshe, apo më e larta prej tyre me 38 milionë dëm në buxhetin e shtetit dhe dënimet kanë qenë më poshtë se mesatarja. "Sa u përket dënimeve me burg, 13 persona janë burgosur gjatë aktgjykimeve të publikuara në prill 2023-prill 2024. Mesatarja e viteve që ju është shqiptuar ka qenë 2.43 vjet. Në anën tjetër 13 persona janë dënuar me gjobë, me një gjobë mesatarisht 4.860 euro", theksoi Fetiu.

Zëvendësministri i Drejtësisë në Kosovë, Vigan Qorrolli, tha se Qeveria e Kosovës ka treguar gjatë më shumë se tre vjetëve qeverisje, angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit. Ai tha se një nga problemet e rasteve të korrupsionit apo keqpërdorimit të detyrës zyrtare është edhe tejzgjatja e procedurave të gjykimit.

"Një prej defekteve të gjeturave preliminare të monitorimit është edhe tejkalimi i afateve të arsyeshme dhe tejzgjatja e procedurave të gjykimit, për çka edhe besimi i publikut pastaj po minimizohet dhe kësisoj po vihet deri te mëdyshja për kualitetin juridik të vendimeve", theksoi Qorrolli.

Ai shtoi se për këtë arsye, ligji për realizimin e të drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme është në fazën e fundit të konsultimit publik dhe brenda një periudhë disa-javore do të finalizohet dhe do të kalojë në Kuvend. Sipas raportit të Transparency International (TI) për vitin 2023, u konstatua se në Kosovë nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor dhe institucionet duhet të punojnë ende në luftim të korrupsionit.

TI ka konsideruar "ndërhyrje të vazhdueshme të Qeverisë në gjyqësor", derisa është thënë se reformat janë kyçe për pavarësi të sistemit të gjyqësorit.


AA