Kosovë, dështon themelimi i Komisionit Hetimor për rastin "Dehari"     / Foto: AA

Në mungesë të kuorumit në Kuvendin e Kosovës ka dështuar themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, u shpreh se si parti konsiderojnë se “siç nuk ka qenë rastësi sulmi ndaj këtij institucioni, po ashtu nuk janë rastësi ngjarjet dhe zhvillimet rreth e mbi këtë institut edhe gjatë kësaj kohe dhe mandatit qeverisës”.

“Të gjithë jemi dëshmitar që për të dytën herë brenda këtij viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) u dëmtua nga zjarret e dyshimta, pas zhdukjes së këtyre mostrave ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi insistuar që të ketë hetim mbi ketë çështje pa paragjykuar shkaqet dhe motivet e këtyre fatkeqësive. Komisioni Hetimor Parlamentar duhet të hetojë edhe përgjegjësinë ligjore të Ministrisë së Drejtësisë se si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë institut të mbetet kaq i ulët”, tha Deliu.

Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, përplasje pati ndërmjet deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa tha deputeti opozitar tha se është e papranueshme që sot nga pushteti të flitet për keqpërdorime e abuzime e asnjë fjalë për Astrit Deharin, për çka shtoi se vetë ministrja e Drejtësisë para disa muajve ka inkurajuar inicimin e këtij komisioni.

“Para disa muajve edhe vetë ministrja e Drejtësisë, edhe vetë ju na keni inkurajuar që ta iniciojmë sepse do ta votoni, dhe tash mos me fol asnjë fjalë për Astrit Deharin, por me dalë dhe me bisedu për tendera, keqpërdorime, abuzime dhe me i ik thelbit që janë kryesisht humbja e mostrave apo zhdukja të Astrit Deharit është e papranueshme”, tha Tahiri.

Lidhur me këto, ministrja Haxhiu tha se gjatë kohës kur Tahiri ishte ministër i Drejtësisë, është lejuar keqpërdorimi i rreth 1 milion eurove të pagesave të mjekësisë ligjore dhe se afro 700 autopsi nuk janë mbyllur asnjëherë.

“E pata mbështetur dhe inkurajuar themelimin e një komisioni hetimor sidomos në rrethanat kur nuk ka veprim të duhur, serioz dhe profesional të prokurorisë, qoftë themelore, qoftë asaj speciale…Po më kujtohet po ashtu që e kam adresuar çështjen që ky komision hetimor duhet të zgjerohet edhe me të gjitha skandalet qe kanë ndodhur në IML ndër vite. E kanë përmendur edhe vaktin qysh vrasjet janë shndërruar në vetë vrasje apo e kundërta e saj. Sipas informatave që unë i kam në kohën sa ke qenë ministër i Drejtësisë, asnjë përpjekje minimale nuk e ke bërë për të vendosur rregull dhe rend në IML dhe më besoni gjendja në IML ka qenë e mjerueshme”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, sa i përket adresimit të kërkesës për mbulimin e shpenzimeve në raport me ekspertizën nga instituti zviceran nga Tahiri, sipas Haxhiut një veprim i tillë nuk është për mburrje, ngase është përgjegjësi ndaj shërbimit të qytetarëve.

TRT Balkan / agjencitë