Kosovë, ekspozitë me karikatura për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit / Photo: AA

Në Prishtinë është hapur ekspozita e parë rajonale e organizuar bashkërisht nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila shënohet më 3 maj.

Ekspozita me karikatura për Lirinë e Medias e cila u hap në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, u mundësua nga Ambasada e Holandës në Kosovë, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se ka pasur një proces përzgjedhës për karikaturat më të mira nga artistë nga vende të rajonit në temën e lirisë së shtypit.

"Ne ia kujtojmë qeverisë sonë, ua kujtojmë qeverive të botës për rolin që kanë në ruajtjen e lirisë së shtypit dhe medias. Siç e dini, ka qenë një vit i vështirë për gazetarët në Kosovë në kuptimin sigurisë", theksoi Rexha.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, përmendi gazetarët ukrainas dhe ata nga Afganistani të cilët po qëndrojnë në Kosovë si fakt që tregon vështirësinë e të bërit gazetari në rrethanat e tyre.

Ajo tha se liria e shtypit është komponent kyç në funksionimin e demokracisë, dhe një pjesë në këtë rol e synon edhe karikatura.

"Ata përdorin lapsat e tyre për t'i mbajtur të pushtetshmit nën llogari, duke ekspozuar karikatura që kanë të bëjnë me drejtësinë, keqpërdorimin e detyrës, korrupsionin dhe shumë shpesh ata të bëjnë të qeshesh për shkak se me punën e tyre nxjerrin absurditetin e disa vendimeve ose thjesht atë që të gjithë po e mendojnë, por askush nuk po e thotë", theksoi Lobbezoo.

Në këtë ekspozitë me 44 karikatura e cila do të jetë e hapur për vizitorë deri më 3 maj, morën pjesë autorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit dhe për t'ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të zbatimit të së drejtës së shprehjes së lirë që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut.

AA