Kosovë, IKShPK-ja jep udhëzime për hMPV-në / Photo: KosovaPress

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë ka ndarë informacione bazike me qytetarët me qëllim që të jenë të informuar dhe t’i rrisin masat e kujdesit parandalues.

Sipas IKShPK-së hMPV-ja ka më shumë gjasa të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes: Pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve, prekja e objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.

Derisa IKShPK-ja thotë se simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë.

“Shumica e rasteve të hMPV-së janë të lehta, me simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm. Patogjenët respiratorë, përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV, mund të paraqesin rreziqe për personat më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e vegjël, personat me imunitet të dobësuar dhe të moshuarit”, thuhet tutje.

A ka epidemi të re në Kinë?

Qendra kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikon raporte javore mbi monitorimin e sëmundjeve të ngjashme me gripin. Raportohet se, siç pritet për këtë periudhë të vitit (dimri në hemisferën veriore), ka rritje mujore të infeksioneve akute respiratore, përfshirë gripin sezonal, virusin respirator sincicial (RSV) dhe metapneumovirusin njerëzor. Niveli i raportuar i aktivitetit të gripit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është më i ulët.

Çka është metapneumovirusi njerëzor?

Metapneumovirusi njerëzor (hMPV) është virus i zakonshëm respirator. Ai është zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarët holandezë. Dihet se shkakton sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. hMPV-ja ndjek model sezonal vjetor si gripi dhe RSV, dhe zakonisht arrin kulmin në dimër ose në fillim të pranverës.

A ka trajtim/vaksinë kundër hMPV-së?

Aktualisht, nuk ka trajtim specifik ose vaksinë për hMPV dhe kujdesi mjekësor është kryesisht simptomatik dhe virusi zakonisht kalon vetë. Për t’i lehtësuar simptomat dhe nëse këshillohet nga profesionisti i kujdesit shëndetësor, pacientët mund të përdorin barëra pa recetë për të kontrolluar dhimbjen dhe ethet. Për pacientët me fishkëllimë dhe kollë më të rëndë, mjekët mund të përshkruajnë inhalator të përkohshëm.

Kosova Press