Komandanti i KFOR-it në Kosovë gjeneralmajor Özkan Ulutaş është takuar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Ata kanë shqyrtuar bashkëpunimin shumë të ngushtë dhe koordinimin e rregullt ndërmjet KFOR-it dhe BE-së në terren dhe diskutuan një sërë temash me interes të përbashkët, të cilat ndikojnë në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në mbarë Kosovën, njoftoi KFOR-i.
Ata ritheksuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal. Ata po ashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO-ja vazhdon ta mbështesë, përfshirë përpjekjet e KFOR-it.
“Kjo është thelbësore për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban prezencë të vazhdueshme në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në deklaratë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke kontribuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reagimi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me të cilin punon në bashkëpunim të ngushtë.