Kosovë, kryediplomatja Gërvalla priti homologen belge Lahbib.    /Foto: AA

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Donika Gërvalla ka pritur në takim miinistren e Punëve të Jashtme, të Çështjeve Evropiane, të Tregtisë së Jashtme dhe të Institucioneve Federale të Kulturës e Belgjikës, Hadja Lahbib.

Të dyja homologet pas takimit dypalësh kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media.

Ministrja e jashtme kosovare Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, duke pasur parasysh se nga një janari i vitit 2024 Belgjika do të kryesojë Bashkimin Evropian (BE).

Gërvalla u shpreh optimiste se BE-ja do të jetë më e qartë dhe më e zëshme për rreziqet që kërcënojnë sigurinë dhe paqen e përbashkët.

"Biseduam gjatë edhe rreth sfidave të sigurisë dhe gjeopolitike të rajonit tonë. Nuk është vetëm Kosova që po përballet me sfida për shkak të sjelljes tepër agresive të fqinjit të saj, por është edhe Evropa në përgjithësi dhe e gjithë bota perëndimore po përballet me luftëra, rreziqe, kërcënime, të cilat vetëm të bashkuar do të mund t'i përballojmë", tha Gërvalla.

Ajo foli edhe për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku siguroi qytetarët që institucionet e Kosovës nuk pranojnë asnjë draft i cili do ta dëmtojë shtetin.

Ministrja Lahbib në konferencë për media tha se temë kryesore e diskutimit ishte dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se ka pasur shumë progres në normalizimin e marrëdhënieve, por se tensionet janë ende të larta.

"Vetëm përmes dialogut mund të arrijmë deri te një zgjidhje të pranueshme për të gjithë, për të gjithë popujt tanë. Përgjigjja që ne kërkojmë është depërshkallëzimi dhe një angazhim i ri për procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Kjo është mënyra e vetme për paqe afatgjatë që do t'u siguronte të dyja palëve një të ardhme në Bashkimin Evropian", tha Lahbib.

Ministrja belge përkujtoi se Belgjika ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe vlerësoi se bashkëpunimi në shumë fusha është forcuar edhe më shumë vitet e fundit.

Lahbib do të pritet gjatë ditës edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

AA