Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në veriun e Kosovës po kthehet në normalitet.
Rizvanolli në rrjetet sociale mbrëmë vonë njoftoi se ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.
Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me rreth 15 kilogramë eksplozivë në veri, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. Sipas ministres kosovare, furnizimi me ujë pritet të normalizohet edhe në këto komuna.
“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanalin e Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet. Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, shkroi ajo.
Më 29 nëntor, në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku sipas institucioneve kosovare të sigurisë shpërthimi ka pasur për qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës, në mënyrë që të pengohet rrjedha e ujit që përdoret për ftohje në procesin e prodhimit të rrymës në termocentralet 'Kosova A' dhe 'Kosova B'.
Qeveria e Kosovës e konsideroi këtë sulm si të orkestruar nga Serbia dhe të kryer nga profesionistë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, derisa këtë sulm e dënuan shumë vende të BE-së, si dhe Türkiye.
Dje, ministrja Rizvanolli njoftoi se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit 'Kosova B'.
Lidhur me rastin, deri më tani, siç kanë bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona. Gjithashtu gjatë bastisjeve policore pas këtij rasti në veri u gjetën një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake dhe pajisjeve të tjera.