Kuvendi i Kosovës e ka filluar sesionin e ri me seancë të jashtëzakonshme të deputetëve ku po diskutohet çmimi i energjisë elektrike.
Deputetë të opozitës kanë kritikuar qeverinë dhe institucionet për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, tha se çmimi i energjisë elektrike është bërë i papërballueshëm për qytetarët. Sipas tij, çmimet e energjisë në treg kanë rënë dhe nuk ka arsye pse qytetarët duhet paguar çmime të larta.
“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme, sepse energjia përfshihet në grupin e nevojshëm për jetesë. Sot kemi rënie të çmimeve në berzë, por nuk ka ulje të çmimeve në Kosovë. Pse duhet qytetarët të paguajnë të njëjtin çmim”, tha Shala.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, nga ana e tij, tha se qeveria nuk ka bërë asgjë që ta shtojë prodhimin e energjisë elektrike. Ai shtoi se në Kosovë e vetmja gjë që rritet janë çmimet.
“Kjo qeveri nuk bëri asnjë veprim për të shtuar prodhimin e energjisë elektrike. Mos t’i harrojmë as blloqet e Korporatës Energjetike të Kosovës që i rinovuan aq ngadalë. Inflacioni po shkon lart e më lartë gati duke e arritur nivelin e arrogancës së kësaj qeverie. Në kohën kur bota po ecën në hapat e energjisë së ripërtëritshme ne po vazhdojmë me hapa të vjetër”, theksoi Mustafa.
Pas fjalës së përfaqësuesve të partive politike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në të kaluarën konsumi ka qenë nga amvisëritë e tani po vjen edhe nga rritja e konsumit nga bizneset, gjë që tregon për rritjen e aktivitetit ekonomik në Kosovë.
“Përtej investimeve në efiçiencë, ne kemi përkrahur edhe familjet për t’i izoluar shtëpitë e tyre. Sistemi energjetik është në rrugën e duhur edhe nga ana e menaxhimit të konsumit, edhe nga investimet që vijnë në kapacitet e gjenerimit që munguan me dekada”, tha ajo.
Ajo gjithashtu theksoi se në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka pasur rritje të konsumit të energjisë nga amvisëria për 49 për qind më shumë.