Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zlatan Elek, ka njoftuar sot se do të ankimojë vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës për të mos e certifikuar Listën Serbe, me çka i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në seancën e djeshme në Prishtinë, KQZ-ja e Kosovës nuk certifikoi subjektin politik më të madh të minoritetit serb në Kosovë, Listën Serbe, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 9 shkurt 2025.
Elek tha se Lista Serbe beson se vendimi është marrë me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
"Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron Kurti të eliminojë serbët nga këto zona. Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe Listës Serbe, sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetë të Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, por më tepër dëshiron që në atë parlament të jenë 'serbët e dëgjueshëm' si ministri Nenad Rashiq", tha Elek në një konferencë për media.
Ai ka shpjeguar se kundërshtimet ndaj Listës Serbe kanë të bëjnë me përdorimin e termit "Kosovë dhe Metohi" në një video dhe sloganin "Rroftë Republika e Serbisë".
"Unë mendoj se ky term është plotësisht i ligjshëm, sepse përfaqëson një toponim. Po ju them qartë se jam krenar që jam serb dhe i kam thënë ato fjalë. Me vendosmëri u qëndroj pas të gjitha fjalëve të thënë në video", tha Elek.
Ai theksoi se ajo që tha nuk ishte shkelje e ligjit dhe nuk mund të ishte arsye që Lista Serbe të eliminohej nga zgjedhjet.
"Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha keqtrajtimet që Kurti po i përdor ndaj Listës Serbe, sepse ai na sheh si kërcënim serioz në fushatën e tij kundër serbëve dhe për këtë ka iniciuar të gjitha ato procedura kundër të gjithë liderëve të Listës Serbe dhe drejtorët e kompanive publike që funksionojnë në sistemin e Republikës së Serbisë, kinse po luftojmë kundër rendit kushtetues të Kosovës", ka thënë Elek.
Ai paralajmëroi se gjatë ditës do ta ankimojmë vendimin e KQZ-së dhe se pret që ky vendim të refuzohet. Më tej, ai falënderoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Ambasadën e ShBA-së, që dënuan vendimin e KQZ-së.
Lidhur me vendimin e KQZ-së reagime ka patur edhe nga Ambasada e Gjermanisë, ShBA-së si dhe Bashkimit Evropian (BE), të cilët shprehën shqetësim dhe theksuan se procesi i certifikimit duhet të jetë thjesht një procedurë formale.