Në Shqipëri vazhdojnë thirrjet që të fillojë bojkoti i marketeve dhe tregjeve për shkak të çmimeve të larta.
Aktivistë, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe qytetarë kanë bërë thirrje në rrjetet sociale për bojkot të blerjeve të produkteve në markete dhe tregjet e vendit.
Një nga nismat u paralajmërua të zgjasë nga datat 5-10 shkurt, ndërkohë është bërë thirrje edhe për një nismë të tillë më 16 shkurt.
"Protesto për zbritje të çmimeve përmes bojkotit. Bojkoto supermarketet, dyqanet dhe shërbimet që kanë shumëfishuar çmimet", thuhet në thirrjet e shpërndara nga qytetarët.
Organizatorët dhe aktivistët që kanë paralajmëruar nisjen e bojkotit më 16 shkurt shkruajnë në rrjetet sociale se duhet të bashkohen me vendet e rajonit.
"Çmimet në Shqipëri janë ndër më abuzivet në Bashkimin Evropian. Në një ditë të vetme, le t’u tregojmë rrjeteve të supermarketeve, por edhe tregjeve të hapura, se kanë abuzuar mjaft dhe ka ardhur koha që ne të bëhemi Zot të ekonomisë së familjeve tona", theksohet më tej.
Në ditët e fundit, qytetarët në disa vende të Ballkanit bojkotuan marketet për shkak të, siç thonë iniciatorët, çmimeve të larta.
Ky aksion fillimisht ka nisur në Kroaci, ndërsa është mbështetur edhe në Maqedoninë e Veriut, Slloveni, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.