Kosovë: Minatorët e Trepçës në grevë urie prej tetë ditësh.    /Foto: AA

Për tetë ditë me radhë 700 metra nën tokë, rreth 300 minatorë të kombinatit të Trepçës, janë në grevë urie në pusin e minierës Stantrg, afër Mitrovicës.

Minatorët kërkojnë që më së voni deri në datën 10 të muajit t'u paguhen pagat në kohë, t'u përmirësohen kushtet e punës, të paguhen sigurimet shëndetësore dhe të shkarkohet menaxhmenti aktual i kompanisë. Ndërkaq, menaxhmenti i Trepçës dje ka suspenduar pesë punëtorë të asaj kompanie, përfshirë edhe kreun e sindikatës së minierave, Ibrahim Januzi.

Situata në kompaninë “Trepça” është dashur të jetë sot në rendin e ditës të Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, por ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Artane Rizvanoli, nuk është paraqitur. Ministrja e ka shpjeguar mungesën e saj me udhëtimin jashtë vendit.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, u tha deputetëve, anëtarë të komisionit parlamentar, se kërkesat e minatorëve nuk kanë ndryshuar.

“Jeta e minatorëve dhe shëndeti i tyre është në rrezik. Prandaj, ne si minatorë vijmë nga sindikata, vijmë si përfaqësues të minatorëve për të negociuar dhe për të gjetur një zgjidhje me dialog, sepse situata është e rëndë atje. Ne kemi hyrë në Dita e tetë e grevës, kemi shumë persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha Januzi.

Në seancën e mbajtur të hënën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e një milion e 675 mijë eurosh për kompaninë Trepça, ndërsa të mërkurën janë paguar pagat e minatorëve.

TRT Balkan / agjencitë