Kosovë, ministria e brendshme "shpenzuesja më e madhe" në kontrata /          Foto: AA

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës është shpenzuesja më e madhe në kontratat e negociuara të Qeverisë së Kosovës për vitin 2023.

Kështu ka bërë të ditur analizua nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), të cilët mbajtën konferencë me temën “Kontratat e negociuara të qeverisë për vitin 2023 - Vlerësim i praktikave dhe efikasitetit”.

Ema Pula nga GLPS tha se në këtë analizë nuk përfshihen Zyra e Kryeministrit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria për Komunitete dhe Kthim, si dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, për shkak se gjatë vitit 2023 nuk kanë përdorur këtë procedurë.

“Sipas vlerës, Ministria e Punëve të Brendshme kryeson dhe ka shpenzuar një total prej 15 milionë eurosh. Kjo ministri ndiqet më pas nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë që kanë shpenzuar rreth 2 milionë euro”, theksoi Pula.

Ndërkaq, Ilirjana Prushi nga GLPS-ja tha se shpenzimet e ministrisë së brendshme në këto kontrata të negociuara janë marrë si masa emergjente.

“MPB-ja është ministria me vlerën më të madhe të shpenzuar për kontratat e negociuara me mbi 15 milionë euro, të cilat përfshinë furnizime për institucionet shtetërore si licenca për softuerë dhe furnizim emergjentë për targa të automjeteve. Këto kontrata janë marrë si masa emergjente për të siguruar qasje në shërbimet dhe furnizimet e nevojshme”, theksoi Prushi.

Prushi tha se MPB-ja gjatë vitit 2023 ka realizuar gjashtë aktivitete të prokurimit publik përmes procedurave të negociuara.

Prushi tha se megjithatë te furnizimi me targa, emergjenca do të mund të trajtohej ndryshe, nëse MPB-ja do të mundësonte përdorimin e targave të përdorura ose të atyre të përkohshme.

Qëllimi i kësaj analize është të shqyrtojë përdorimin e kontratave gjatë vitit 2023 të fokusuara në nivelin qendror, derisa vlerësimi është bërë duke u bazuar në ligjin për Prokurimin Publik që e rregullon këtë procedurë dhe të dhënat e analizës kanë burim faqen elektronike të Prokurimit, si dhe kërkesat për qasje ne dokumente publike drejtuar Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe ministrive.

Ndonëse rreth 82 për qind e vlerës së përgjithshme prej mbi 810 milionë euro të kontraktuara në vitin 2023 ishin me procedurë të hapur, lidhja e kontratave me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës renditet e dyta më e përdorur si mënyrë.

Janë rreth 14 për qind e vlerës së kontratave të përgjithshme që u lidhën nëpërmjet kësaj procedure apo mbi 117 milionë euro.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kontratat e negociuara nuk janë të paligjshme edhe pse nga opozitarët mund të propagandohet një gjë si e tillë, derisa opozita e ka quajtur këtë formë të lidhjes së kontratave si korruptive dhe sipas opozitës Prokuroria ka nisur hetime për këto “tenderë sekret”.

AA