Kosovë, ministrja Hajdari në Prokurori, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Kosovë, ministrja Hajdari në Prokurori, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria tha se ministrja Hajdari e ka mbrojtur veten në heshtje në paraqitjen e saj si e pandehur para prokurorëve.
Kosovë, ministrja Hajdari në Prokurori, dyshohet për keqpërdorim të detyrës      / Foto: AA

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka thirrur për intervistim ministren e Industrisë, të Ndërmarrësisë dhe të Tregtisë të Kosovës (MINT), Rozeta Hajdari, e cila dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.

Në një njoftim zyrtar, PSRK-ja tha se ministrja Hajdari e ka mbrojtur veten në heshtje në paraqitjen e saj si e pandehur para prokurorëve.

“E njëjta sot nuk është deklaruar dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjatë vitit të kaluar u arrestuan tre persona, dy prej të cilëve pjesëtarë të Ministrisë së Industrisë, të Ndërmarrësisë dhe të Tregtisë si të dyshuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Në atë kohë, PSRK-ja kishte bastisur edhe zyrtarët e MINT-it dhe kishte konfiskuar prova materiale në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ndërsa ministrja Hajdari kishte deklaruar se dokumentet e konfiskuara si prova në Ministri ishin të klasifikuara si sekrete shtetërore.

TRT Balkan / agjencitë