Kosovë, miratohet ankesa dhe urdhërohet KQZ-ja ta certifikojë Listën Serbe.      Foto: AA 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar ankesën e Listës Serbe, e cila nuk ishte cerifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

Me këtë rast, PZAP ka anuluar vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe duke e urdhëruar atë që të certifikoj këtë subjekt politik.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të certifikoj subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22 dhjetor 2024 për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09 shkurt 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

KQZ-ja në mbledhjen e datës 23 dhjetor nuk kishte certifikuar Listën Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi anëtarët e partive politike në KQZ, konsideruan se ka pasur thirrje nacionaliste serbe nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Elek, gjatë prezantimit të Listës zgjedhore të këtij subjekti politik.

Pas këtij vendimi, KQZ do të presë afatin ligjor për ankesë ndaj tij, para se ta vendosë në rend ditë këtë çështje.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka deklaruar zëdhënësi Vlaim Elezi për mediat lokale.

Nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media dje pasdite, kryeministri Albin Kurti tha se moscertifikimi i Listës Serbe nuk ishte në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje, ngase nga 11 anëtarë të KQZ-së partia e tij ka vetëm dy anëtarë.

Rrjedhimisht, Kurti tha se askush nuk mund të presë se qëndrimi i anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ të ishte më ndryshe.

“Unë besoj se Lista Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbëve në Kosovë. Prej djegies së veturave e pronave tek rrahja brutale e serbëve që po integrohen në Kosovë e deri tek ngacmimet, kërcënimet, shantazhet që u bëhen serbëve në Kosovë. Që të gjitha këto e mbajnë edhe nënshkrimin, edhe vulën e Listës Serbe”, theksoi Kurti.

Dje, kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zlatan Elek, njoftoi për ankesë ndaj vendimit të KQZ-së në autoritetin kompetent.

Vendet perëndimore si Gjermania dhe SHBA-ja, së bashku me Bashkimin Evropian (BE), shprehën shqetësimin pasi anëtarët e KQZ-së nuk konfirmuan pjesëmarrjen e subjektit më të madh politik të minoritetit serb në Kosovë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

TRT Balkan / agjencitë