Mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i kanë shpëtuar jetën një 11-vjeçari duke ia hequr një figurë shahu nga rrugët e frymëmarrjes.
Siç njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), fëmija kishte pasur komplikime si pasojë e pakujdesisë, ku një figurë shahu i kishte kaluar në rrugët e frymëmarrjes.
“Fëmija së pari ishte sjellë nga familjarët në QKUK, me vështirësi të theksuara në frymëmarrje dhe saturim të oksigjenit 69. Nga Shërbimi Klinik Emergjent, i mbështetur me oksigjeno-terapi, transferohet në sallën e Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL) të QKUK-së, ku edhe bëhet Trakeobronkoskopia me bronkoskop rigjid dhe arrihet të largohet trupi i huaj (figurë shahu) nga rrugët e poshtme të frymëmarrjes”, thuhet në njoftim.
ShSKUK-ja bëri të ditur se kjo ndërhyrje ishte shumë e vështirë për shkak të dimensionit të madh të trupit të huaj në organizëm dhe pozitës së tij në rrugët e frymëmarrjes.