Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim Tërnava, ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit.
Tërnava, nga selia e BIK-ut në Prishtinë, tha se Ramazani është muaj i lutjeve dhe adhurimeve ku shtohet dashuria për fenë dhe Zotin, muaj i mirësisë dhe me begati më të shumta seç dikush mund t’i numërojë.
Tërnava tha se me Ramazan synohet përsosja morale dhe etike e besimtarëve, ngritja e nivelit të solidaritetit material dhe lehtësimi i rrugës së besimtarëve për në xhenet.
“Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri, për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe besimin në Zotin e Madhëruar”, theksoi Tërnava.
Myftiu Tërnava tha se Ramazani, përveçse është muaj kur shpallja e qiellit ndriçoi errësirën e tokës, është gjithashtu edhe një epokë e re në të cilën njerëzimi mori mesazhet e fundit nga Zoti, mesazhe këto që përfaqësojnë një pikë kthese në rrugën e njerëzimit.
Ai tha se kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër.
“Në këtë natë të madhe dhe në këtë atmosferë hyjnore, ftoj besimtarët tanë kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete”, theksoi Tërnava.
Në porosinë e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, Tërnava u bëri thirrje atyre t’u përmbahen porosive të Zotit dhe të profetit të fundit, Muhamedit, dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në Kosovë.