Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka organizuar tryezë me temën "Gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – Veprim i duhur?" ku është bërë prezantimi i raportit vjetor mbi monitorimin e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë gjatë vitit 2022, raporton Anadolu.
Autori i raportit "Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm", Amer Alija tha se monitoruesit e FDhK-së i kanë monitoruar të gjitha seancat gjyqësore pranë gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë.
Ai tha se objektivi kryesor i raportit është prezantimi i punës së institucioneve të gjyqësorit në këto raste, rezultatet e arritura, gjetjet dhe rekomandimet për institucionet relevante.
"Gjatë vitit 2022 janë arrestuar 5 persona për krimet e luftës në Kosovë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale krime të luftës në Kosovë. Po ashtu, gjatë këtij viti Zyra e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur 3 aktakuza në drejtim të veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile", theksoi Alija.
Nga rekomandimet e FDhK-së ka qenë që Qeveria e Kosovës në negociatat me Serbinë të vendosë bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë nëpërmjet nënshkrimit të protokolleve të bashkëpunimit midis Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe asaj të Serbisë, si një nga mënyrat e suksesshme të ndjekjes së krimeve të luftës.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë institucionet vendore dhe ndërkombëtare i kanë dënuar vetëm 72 persona për krimet e luftës, derisa në vend vlerësohet se janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile.