Kosovë, shënohet Dita e Gruas Rurale.     /Foto: AA

Me organizimin e një panairi ku gratë nga zonat rurale ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre, po shënohet në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë Dita e Gruas Rurale.

Në panairin e organizuar nga EcoKosWomen, morën pjesë ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural - Faton Peci, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës dhe gra pjesëmarrëse në panair.

Ministri Peci në fjalën e tij tha se në kuadër të granteve për vitin 2022 është shënuar një rekord i përkrahjes për gratë në kuadër të ministrisë, me një shumë prej 7,2 milionë eurove. "Aktivitete të tilla promovojnë produktet tona, qesin në pah kualitetin e produkteve tona dhe krijojnë mundësinë e rrjetëzimit mes fermerëve, por njëkohësisht ndërlidhjes konsumatorëve dhe prodhuesve", theksoi Peci.

Shefja e zyrës së "UN Women" në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, thotë se kudo në botë, gratë rurale edhe pse kultivojnë ushqimin në mbarë botën, në shumicën e rasteve vetë mbesin të diskriminuara. Ajo thekson se qasja në tokë, qasja në pronësi, puna e papaguar e barabartë e grave në krahasim me burrat dhe shumë arsye të tjera për të cilat shënohet kjo ditë.

"Ne si UN Women do të japim një premtim që do të vazhdojmë t’ju mbështesim, t’ju ndihmojmë që jo vetëm të jeni produktive, por të keni sa më shumë rezultate dhe të fitoni sa më shumë nga puna e mundimshme që ju bëni", theksoi Nushi.

Në tendën e ngritur në sheshin kryesor të Prishtinës, gratë po ekspozojnë dhe shesin turshi, ajvar, nënprodukte të qumështit, mjaltë, çajra natyralë e të tjera.

Dita e grave rurale shërben si një kujtesë për të njohur rolin që ato luajnë në modelimin e peizazhit bujqësor. Është një mundësi për të festuar arritjet e tyre dhe për të ngritur ndërgjegjen për sfidat që hasin dhe për të promovuar barazinë gjinore në sektorin bujqësor.

AA