Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione në Kosovë ka diskutuar lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.
Në këtë mbledhje, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Leonora Selmani, tha se vetëm në vitin 2023 komisioni qeveritar ka pranuar 68 aplikime, deri në periudhën kur është ndaluar procedura për të aplikuar, në shkurt 2023.
Ajo tha se nga fillimi i hapjes së procesit të aplikimit për këtë kategori e deri më tash kanë aplikuar 1.939 persona.
"Në total në komision deri më sot janë pranuar 1.939 aplikacione, prej tyre 1.881 janë trajtuar dhe në pritje për trajtim i kemi vetëm edhe 58 raste të cilat nuk kanë marrë ende përgjigje dhe jemi në punë e sipër t’u japim përgjigje edhe këtyre", theksoi Selmani.
Selmani tha se nga numri 1.939 janë aprovuar 1.473 raste nga të cilat 1.402 janë të gjinisë femërore, ndërsa 71 janë të gjinisë mashkullore.
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione u ngrit si çështje edhe konfidencialiteti i personave të dhunuar gjatë luftës.
Kryetarja e komisionit parlamentar, Duda Balje, tha se ka marrë si shqetësim nga kjo kategori se po gjenden në pozitë të pafavorshme në momentin e tërheqjes së ndihmave financiare nëpër banka, aty ku duhet ta bëjnë të ditur emrin dhe kategorinë e tyre për t’u arsyetuar para zyrtarëve të bankave.
Për këtë problematikë, Selmani tha se të dhunuarit e luftës identifikohen në banka vetëm me kategorinë si "viktimë civile".
Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 filloi procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre. Procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj të krijuara për këtë kategori.