Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri më datën 24 maj 2024.
Në një mbledhje elektronike të Qeverisë, u bë e ditur se deri te ky vendim erdhi pas kërkesës nga Komuna e Dragashit, e Prishtinës, e Prizrenit, e Drenasit, e Fushë Kosovës, e Skenderajt, e Obiliqit, e Ferizajt, e Shtërpcës, e Kaçanikut dhe e Gjakovës.
“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora zgjatet deri më datën 31 gusht 2024.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar me 5 prill 2024 dhe deri më tani janë regjistruar rreth 1,5 milion banorë.