Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.     Foto: AA

Versioni i fundit i propozimit franko-gjerman tani është në duar të qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë, këtë e bëri të ditur sot Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell.

Gjatë Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Borrell u bëri apel të dyja palëve që të angazhohen seriozisht në këtë propozim, pasi, siç tha ai, është momenti i një mundësie të madhe.

“Dialogu Prishtinë-Beograd. Ky është një moment i rëndësishëm në lidhje me negociatat Serbi- Kosovë. Marrëveshja për targat ka përfunduar. Palët të angazhohen mirëfilli në dialog me propozimin e hedhur në tryezë me mbështetjen e Gjermanisë e Francës. Teksti i fundit u është dërguar dje dhe janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze sepse është një moment ku ka mundësi të madhe”, deklaroi Borrell.

Megjithatë, Borrell nuk pranoi të zbulojë detaje mbi përmbajtjen e propozimit.

“Nuk e ndaj dot përmbajtjen e dokumentit. Është koha për të punuar me shpejtësi”, tha Borrell, teksa u shpreh optimist për një fund të suksesshëm të këtij dialogu.

Ai foli edhe për një fond prej 10 milionë eurosh për fushatën e çminimit në Bosnjë e Hercegovinë, ndërkohë që theksoi edhe mbështetjen ndaj Shqipërisë për krizën energjetike dhe sulmet kibernetike.

“Kjo është ditë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, është samiti i parë me BE-në që ndodh në Ballkanin Perëndimor. Jemi tejet të përkushtuar ndaj rajonit për ta mbështetur për t'u përballur me pasojat e luftës, çmimet e energjisë. Do të mbështesim familjet. Shqipëria është goditur nga sulmet kibernetike, i kam ofruar mbështetje, ekspertët tanë janë këtu për t'i ndihmuar Shqipërisë”, ka thënë ai.

Ndryshe, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dje dhe sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Serbi dhe Kosovë, ku ka zhvilluar takime me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti.

TRT Balkan / agjencitë