Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, priti në takim homologun e tij kosovar Xhelal Sveçla, i cili qëndroi për një vizitë pune në Shkup.
Pas pritjes ceremoniale, të dy ministrat zhvilluan një takim dypalësh, pas çka u zhvillua edhe një takim pune mes delegacioneve.
Në konferencën e përbashkët për media, ministri Toshkovski theksoi se ka pasur një takim të shkëlqyer gjatë të cilit është konstatuar bashkëpunim i shkëlqyer.
"Kemi konstatuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm deri më tani, të cilin shpresoj se do ta përmirësojmë dhe do ta fokusojmë në të ardhmen, me qëllim që të kemi një rajon më të sigurt, me qëllim që të kemi luftë reale kundër krimit të organizuar dhe me qëllim që të kemi një kalim më efikas dhe më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave brenda pikave kufitare që i kemi", tha Toshkovski.
Ai shtoi se është diskutuar edhe për ngritjen e sistemit "One stop shop" dhe digjitalizim më të madh për shfrytëzim sa më të shpejtë të pikave kufitare.
Ministri Sveçla theksoi se ka pasur një takim jashtëzakonisht të frytshëm me kolegun e tij, duke shprehur gatishmëri që "bashkëpunimi i shkëlqyeshëm" të thellohet edhe më shumë.
"Në qoftë se të dy ministrat dhe të dy qeveritë jemi zotuar për zero tolerancë ndaj krimit, kjo nënkupton zotimet tona ndaj qytetarëve tanë, por edhe ndaj vendeve me të cilat ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera se do të punojmë në bashkëpunim sa më të ngushtë në mënyrë që ky synim të plotësohet nga të gjithë", tha Sveçla.
Ai gjithashtu tha se është interes i qytetarëve të dy vendeve që të ketë kalim sa më të lehtë nëpër pikat kufitare.