Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman, ka pritur sot në takim ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, me të cilën ka diskutuar mbi mbështetjen për Kosovën në rrugën euroatlantike.
Kroacia dhe Kosova janë vende miqësore dhe partnere me marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, thanë ministrat pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë.
"Kroacia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në transferimin e njohurive tona, me njohuritë dhe përvojën tonë, në proceset e nevojshme reformuese, duke pasur parasysh se Kroacia ka përmbushur të gjitha prioritetet e politikës së jashtme dhe synimet strategjike. Përshëndes përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rrugën evropiane të Kosovës dhe inkurajoj vazhdimin e reformave", tha ministri kroat Gërliq-Radman.
Dy ministrat diskutuan edhe për situatën politike në Evropën Juglindore, përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Rruga evropiane e të gjashtë shteteve, e bazuar në qasjen individuale dhe përmbushjen konsekuente dhe të plotë të të gjitha kritereve, është e vetmja rrugë e drejtë. Në një aspekt më të gjerë gjeopolitik, Kosova është partner i besueshëm me pikëpamje proevropiane.
Gërliq më tutje potencoi përkushtimin e Kroacisë në mbështetjen për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës në mënyrë që të mundësohet perspektiva e mëtutjeshme dhe rruga evropiane.
Nga ana tjetër, ministrja kosovare Gërvalla-Schwarz theksoi se Kroacia dhe Kosova "u shkëputën herët nga Jugosllavia, nga diktatura komuniste e dominuar nga politika ekonomike dhe nacionaliste serbe, me synim arritjen e demokracisë dhe sovranitetit, në një proces në të cilin u përballën me të njëjtin agresor".
"Na mbetet që të realizojmë ëndrrat tona të përbashkëta drejt integrimeve evropiane. Qëllimi i qytetarëve të Kroacisë dhe Kosovës është rruga euroatlantike. Ndihma e Kroacisë në rrugën tonë euroatlantike nuk ka munguar asnjëherë. Derisa Kosova të bëhet anëtare e familjes euroatlantike, kemi shumë punë të përbashkëta", tha ajo.
Kryediplomatja kosovare uroi homologun e saj kroat për integrimin e suksesshëm në Shengen dhe në Eurozonë dhe falënderoi për ndihmën e shpejtë dhe efikase që ofroi Qeveria e Kroacisë për qytetarët kosovarë që pësuan në aksidentin e autobusit në afërsi të Slavonski Brodit.
Marrëdhëniet ekonomike të të dyja vendeve janë në një trajektore rritëse, gjë të cilën e tregon edhe totali i shkëmbimit tregtar në 11 muajt e 2022, i cili është më i lartë për mbi 23 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Së fundmi në Prishtinë është mbajtur forumi i përbashkët ekonomik Kosovë-Kroaci, ku së bashku me ministrin kroat të ekonomisë, Davor Filipoviq kanë marrë pjesë rreth 50 përfaqësues të kompanive kroate dhe rreth 80 përfaqësues të kompanive kosovare.
Gjithashtu, u diskutua edhe për përmirësimin e pozitës së pakicës kroate në Kosovë, e cila është diaspora më e vjetër kroate, me faktin se këtë vit në maj do të shënohen 720 vjet nga përmendja e parë e Janjevës në dokumentet zyrtare.
Kjo është vizita e parë zyrtare e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz, në Kroaci.