Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë takon ambasadorin turk / Photo: AA

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka pritur në një takim Ambasadorin e Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se Spiropali priti sot në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë ambasadorin turk Atay.

"Ambasadori Atay e uroi Kryetaren Spiropali për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit dhe vuri në dukje gatishmërinë e Ambasadës për të kontribuar në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si aleatë të natyrshëm, të miqësisë mes dy popujve si edhe intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit parlamentar", thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se Spiropali nënvizoi se Shqipëria do të forcojë partneritetin strategjik me Türkiyen, "me të cilën na lidh një miqësi e fortë tradicionale".

"Türkiye dhe Shqipëria i janë gjendur njëra-tjetrës në ditë të mira e të vështira. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, si anëtarë të NATO-s, merr një rëndësi të veçantë në situatat e sotme në rajon e më gjerë. Kuvendi do të zgjerojë bashkëpunimin me Asamblenë e Madhe Kombëtare në të gjitha nivelet, duke nxitur bashkëpunimin e gjithanshëm dhe miqësinë mes popujve", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se bashkëpunimi me Türkiyen përbën një prioritet të Kuvendit të Shqipërisë, qeverisë dhe institucioneve.

AA