Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se masat e reja të reciprocitetit me Serbinë në veri nisin nga 1 shtatori.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se më 1 shtator do të fillojë zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë, për targat dhe letërnjoftimet, por ka shtuar se edhe pas kësaj date do të vazhdojnë fushatën informuese për tabelat e veturave.
Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, Kurti, u është adresuar qytetarëve përveç në gjuhën shqipe edhe në atë serbe, me ç’rast ka thënë se përballë thirrjes për ligjshmëri është ngritur një fushatë e dezinformimit që synonte destabilitet.
“Përballë thirrjes për ligjshmëri u ngrit një fushatë e dezinformimit që synon destabilitet”, ka thënë Kurti.
Ai tha se barrikadat në veri përbëheshin nga njerëz të armatosur, me të kaluar kriminale.

“E dimë që barrikadat që vendosen në veri nuk vinë nga poshtë, por vendosen nga lart, nuk ju përfaqësojnë juve qytetarëve tanë e as nuk ju mbrojnë juve. Në anën tjetër Policia e Kosovës është më shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, vazhdoi ai.
Më tej, Kurti demanton informatat se në pikat kufitare do të konfiskohen dokumentet serbe.
“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje dalje në pikat kufitare nuk do të pengojë lirinë e lëvizjes. Koha e pritjes për pajisje me këtë dokument është 20 sekonda. Kam dëgjuar për lajmin e rreme se ID ose dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi kjo nuk është e vërtetë, dokumenti për hyrje dalje është dokument shtesë që jepet pa pagesë me te cilin mund të merren shërbime tjera në institucionet tona gjatë qëndrimit në Kosovë. Askush nuk është imun ndaj dezinformatave, rreziku prej tyre është shumë i madh. Na duhet kujdes i shtuar, dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”, përfundoi Kurti.

Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës për hyrje në fuqi të dy masave të reciprocitetit ndaj serbëve u shtye për 1 shtator si pasojë e barikadave të vendosura nga serbët në pikat kufitare të Veriut.

Kosova Press