Kurti me krerët e BeH-së diskuton marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime / Foto: X - Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare Humanitare për Gazën në Paris është takuar me kryesuesin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Zheljko Komshiq dhe anëtarin e Presidencës Denis Beqiroviq.

Kurti falënderoi kryetarin e Presidencës së BeH-së Komshiq dhe anëtarin e Presidencës Beqiroviq për takimin produktiv.

“Diskutuam rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Procesit të Berlinit, veçanërisht lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe hulumtuam bashkëpunimin e mëtejshëm”, publikoi Kurti në rrjetin social X.

Kurti në fillim të tetorit deklaroi se ishte për të ardhur keq që Bosnjë e Hercegovina nuk e ratifikoi marrëveshjen për lëvizjen vetëm me letërnjoftime, të arritur një vit më parë në Berlin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai më pas deklaroi se nga janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, por ende nuk është e sigurt se kur do të mund të udhëtojnë pa viza në Bosnjë e Hercegovinë.

Përveç Serbisë, Bosnjë e Hercegovina është i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i vetmi vend në rajon që ka regjim të vizave me Kosovën.

AA