Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai po ndërmerr veprimet që është dashur të realizohen 11 vjet më parë. Ai ka thënë se janë të vendosur në implementimin marrëveshjeve në veri të vendit dhe se nga 1 shtator do fillojë zbatimi i vendimit të qeverisë (dokumentet hyrje/dalje).
Në seancën e Kuvendit, Kurti ka thënë në rrethanat aktuale vendimi për shtyrjen e zbatimit të marrëveshjes për 30 ditë, është i duhuri.
“Mund të ketë tensione edhe në të ardhmen, por ne jemi të vendosur në këtë që bëjmë, në njërën anë në respektimin kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës sonë ndërkaq në anën tjetër edhe sa më shumë komunikim dhe bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë. Në rrethanat në të cilat ndodhemi e kemi marrë vendimin më të duhur, e kemi komplet mbështetjen amerikano-evropiane në njëjrën anë dhe në anën tjetër vendimet e qeverisë fillojnë së zbatuari me datën 1 shtator”, tha kryeministri Kurti.
Sipas tij, opozita nuk duhet të aktrojë për nxitim në implementimin e marrëveshjes kur një gjë të tillë nuk e kanë bërë 11 vjet në kohën kur kanë qenë në qeverisje.
“Më mirë më 1 shtator 2022 sesa hiç, më së miri kish qenë në vitin 2011 atëherë kur jeni marrë vesh në Bruksel. Duhet ta keni parasysh që nuk mund të aktrojnë nxitimin në muajin e pushimeve gusht për një gjë që është tash e 11 vjet”, ka thënë ai.
Barrikadat dirigjohen nga Beogradi
“Nuk janë barrikada që ngrihen nga poshtë po janë barrikada që aterojnë nga lart, është regjimi i Beogradit, takimet në Beograd e Rashkë ato që i kanë sjellë barrikadat në veri. Por ne me punë me durim e angazhim gjithçka do ta përmbyllim mirë”, tha Kurti.
Mes tjerash ai tha se para 1 viti edhe çdo herë në vitet e mëhershme, çdo qytetar i Republikës së Kosovës kur e ka kaluar kufirin është dashur të paguajë pesë euro për tabelat e përkohshme.
“Ne vendosem reciprocitetit, i hoqën ata tabelat e përkohshme nuk i kemi, pastaj as ne, dhe kemi vetëm letrat ngjitëse, pra reciprocitet. Për bindjen tonë më mirë do të ishte të hiqen edhe letrat ngjitëse për shkak se nuk janë në fushën e standardeve ndërkombëtare shenja të tilla të identifikimit kur mbulohen simbolet shtetërore”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ka pasur fushatë të madhe të dezinformimit nga Beogradi mbi qytetarët serbë rreth vendimit të qeverisë për reciprocitet.
SHBA: Vendimet e Qeverisë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka takuar ministrin për Kthim dhe Komunitete, njëherit kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Hovenier, pas takimit, ka thënë se ia ka bërë te ditur kryetarit të Listës Serbe, qëndrimin e ShBA-së për vendimet qeveritare për fletë-deklarimet në hyrje për personat me dokumente të Serbisë si dhe për konvertimin e targave.
Sipas tij, vendimet janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit.
"Ne folëm për rëndësinë e deeskalimit të disa prej këtyre çështjeve. I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga këto çështje që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur të vendosë. Nga këndvështrimi ynë janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime për t'u zbatuar", tha ambasadori Hovenier. Ne gjithashtu folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat", ka deklaruar Hovenier para mediave.
Pas takimit në ministrinë për Kthim dhe Komunitete, ambasadori Hovenier ka përmendur edhe qëndrimin për Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga autoritetet amerikane, dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut.
"Unë gjithashtu shfrytëzova rastin për t'i kujtuar atij një çështje të veçantë, në kontekstin e deklaratave të fundit. Më duhet t'u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur", ka shtuar ai.
Kjo vizitë vjen pas zhvillimeve në veri gjatë së dielës, ku serbë lokalë kishin vendosur barrikada në pikat kufitare në Jarinkë e Bërnjak. Ndërkohë që në këto barrikadime ishte parë edhe ministri Rakiq e i shumëkërkuari nga drejtësia Radoiçiq.
Vetëm një natë më parë, Lista Serbe e Rakiq pranoi publikisht se janë duke u angazhuar për të rrezuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.
4 Gus 2022
Kurti: Nga 1 shtatori fillon zbatimi i vendimit të qeverisë në veri
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja të reciporcitetit me Serbinë për dokumentet hyrje-dalje pjesërisht u zbatua
Kosova Press
Lajme të ngjashme
Kosova: KE-ja arriti pajtim për mandatin negociues për udhëtimin pa viza
Kosova sipas KE-së ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtatlidhur me lirin e lëvizjes.
Borxhi i jashtëm: Kosova më së miri, keq në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut
Borxhi i jashtëm i Malit të Zi e kalon, ndërsa i Maqedonisë së Veriut i afrohet nivelit kritik prej 60% në raport me Prodhimin Bruto Vendor, pa përfshirë borxhin e brendshëm. Kosova, nga ana tjetër, ka më së paku borxhe në rajon.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore