Diskutimet për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, dhe çështjet aktuale, ishin dy temat kryesore të cilat u trajtuan gjatë takimit trilateral të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksanër Vuçiq me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian(BE), i cilu u mbajt më 18 gusht në Bruksel.
Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, tha se deri më tani nuk ka folur për këtë takim për shkak të marrëveshjes që ka ekzistuar midis palëve për zbulimin e detajeve të diskutimit.
Ai tha se në temën e parë ka elaburuar këndvështrimin e palës kosovare për kornizën e përgjithshme dhe elementet për marrëveshjen finale në gjashtë kapituj.
Në kapitullin e parë, pala kosovare ka përfshirë njohjen reciproke dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare; adresimin e të kaluarës që përfshinë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale dhe të tjera; vendosjen e bashkëpunimit, si pikënisje me katër liritë, atë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve; trajtimi i të drejtave të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Serbi; si dhe rikonsiderimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe vendosja e mekanizmit për zgjidhjen e marrëveshjeve dhe mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit.
“Unë atje kam qenë si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam shkuar as si polic, as si doganier, as si prokuror as si gjykatës e as si shef i kadastrit të Kosovës. Kam shkuar si kryeministër i Republikës së Kosovës sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, theksoi Kurti.
Kurti "për" lëvizje të lirë
Duke folur për çështjet aktuale të diskutuara në dialog, Kurti tha se për Kosovën opsioni që të mos ketë fare kërkesë për dokumente shtesë për hyrjet e daljet e qytetarëve serb dhe kosovar në kufirin Kosovë-Serbi është më i pranueshëm.
“Si Republikë e Kosovës jemi për promovim të plotë të lëvizjes së lirë. Kjo nënkupton se për ne opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet për dokumentet e hyrjeve e daljeve, të mos i ketë as Serbia as ne, kjo është më e mira. Sikurse tani për shembull që nuk ka targa të përkohshme as në Serbi as në Kosovë, mirë do të ishte të mos ketë letra ngjitëse as në Kosovë as në Serbi, por deri sa duhet të ketë në njërën anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, theksoi Kurti.
Kurti tha se ky pozicion është evropian dhe një veprim i tillë nuk nënkupton detyrimisht se shtetet po e njohin njëra-tjetrën.
Pala serbe nuk ka pasur angazhim konstruktiv
Sa i përket çështjes së të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, kryeministri Kurti tha se për ta ekziston tekst me përmbajtje të ndryshuar, por nuk ekziston ndryshimi, për shkak të palës serbe.
Kurti në fund tha se pala serbe nuk ka pasur angazhim konstruktiv në diskutimet në kuadër të procesit të dialogut, ndërsa po e eskalon si retorikën ashtu edhe veprimet dhe sipas tij kjo përbën cenim të drejtpërdrejt si të sigurisë nacionale ashtu edhe të rajonit.
Kryeministri kosovar me presidentin serb u takuan më 18 gusht në Bruksel në një takim të thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell.
Takimi erdhi pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale që qarkullojnë në komunat me shumicë serbe në ato me “RKS” dhe për reciprocitetin për dokumente me Serbinë, që do të duhej të niste së zbatuari më 1 gusht, mirëpo pas kërkesës amerikane zbatimi i vendimit u shty për më 1 shtator.
Para këtij takimi, Kurti dhe Vuçiq më 18 gusht takuan ndaras sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në selinë e kësaj aleance, i cili ftoi palët të shmangin çfarëdolloj retorike urrejtëse dhe të gjitha çështjet e pazgjidhura t’i zgjidhin përmes dialogut, derisa tha se KFOR-i është i gatshëm për të ndërhyrë në veri të Kosovës, nëse rrezikohet stabiliteti.
24 Gus 2022
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Kosova: KE-ja arriti pajtim për mandatin negociues për udhëtimin pa viza
Kosova sipas KE-së ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtatlidhur me lirin e lëvizjes.
Borxhi i jashtëm: Kosova më së miri, keq në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut
Borxhi i jashtëm i Malit të Zi e kalon, ndërsa i Maqedonisë së Veriut i afrohet nivelit kritik prej 60% në raport me Prodhimin Bruto Vendor, pa përfshirë borxhin e brendshëm. Kosova, nga ana tjetër, ka më së paku borxhe në rajon.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore