Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit duhet të përkrahë zhvillimin ekomonik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe qeveritë rajonale duhet të bëjnë reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE).
Kurti foli në tryezën me titull "Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal", të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), në bashkëpunim me Qendrën për Dialog Humanitar, me qëllim të eksplorimit të arritjeve të Procesit të Berlinit dhe diskutimit të pritjeve nga samiti i radhës.
Kurti tha se në dy vitet e fundit Kosova ka shënuar progres në indeksin e disa organizatave ndërkombëtare për demokraci dhe sundim të ligjit.
Për të pasur bashkëpunim të vërtetë rajonal dhe integrim ekonomik, sipas kryeministrit kosovar, duhet që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë në demokraci, gjë që shumica e tyre e kanë këtë prioritet, por jo të gjitha.
“Derisa ne jemi ulur në tryezën e dialogut në Bruksel dhe në Samitin e Procesit të Berlinit për të bërë marrëveshje për të ardhmen, siç kemi parë një javë më parë, Serbia po punon në plane ushtarake për ta aneksuar territorin tonë. Kjo tregon se fqinji ynë verior nuk është i interesuar në bashkëpunim rajonal për anëtarësim në BE”, theksoi Kurti.
Tutje, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka një qëndrim të qartë për bashkëpunimin rajonal, i cili duhet të bazohet në barazinë e palëve dhe standardet evropiane. Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësues i integrimeve evropiane, por është plotësues i këtij procesi.
Sipas Kurtit Kosova fillimisht i ratifikoi në kuvend të trija marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, por 13 ditë para samitit të ri të Procesit të Berlinit në Tiranë, jo të gjitha vendet e rajonit e bënë këtë.
“Është për të ardhur keq që Bosnja e Hercegovina miratoi vetëm dy nga tri marrëveshjet, të cilat nuk përfshijnë marrëveshjen kryesore për lirinë e lëvizjes me karta identiteti. Për qytetarët e të dyja vendeve është e rëndësishme heqja e regjimit të vizave ndërmjet vendeve tona. Nga 1 janari i vitit 2024 Kosova do të mund të lëvizë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, por ende nuk është e sigurt nëse qytetarët e Kosovës dhe të BeH-së do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e njëri-tjetrit”, tha Kurti.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, shërben si një platformë ndërqeveritare për të rritur bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe për të nxitur bashkëpunimin efektiv midis BE-së dhe rajonit.