Kurtulmuş: Midis RMV-së dhe Türkiyes ekzistojnë "ura të forta historike"         / Foto: AA

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, theksoi se midis popujve të dy vendeve ekzistojnë “ura të forta historike dhe kulturore”.

Kurtulmuş iu adresua të pranishmëve në një program të organizuar në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup, ku vlerësoi punën e këtij universiteti, duke theksuar se qëllimi i tij tani e tutje duhet të jetë avancimi i mëtejshëm.

Ai tha se përtej të qenit një universitet, IBU-ja është një institucion që forcon tutje lidhjet tashmë të forta historike, kulturore dhe vëllazërore midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë fjalës së tij, ai foli për Sabahattin Zaimin, një figurë e shquar akademike turke me prejardhje nga qyteti i Shtipit i Maqedonisë e Veriut.

“Kishte një tipar që i afronte njerëzit, nuk i largonte, ishte si ombrellë për ta, kur kërkonin këshillë nga ai ose të përfitonin nga ai, pavarësisht nëse kishin opinione të ndryshme”, tha Kurtulmuş, duke shtuar se puna e tij akademike po ashtu është e njohur në botë.

Kryeparlamentari turk ritheksoi lidhjet e forta historike midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut.

“Siç e dimë, midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut ekzistojnë ura të forta historike dhe kulturore.

Përtej atyre që shihen, këto janë ura të padukshme të vëllazërisë dhe miqësisë. Janë ura që janë zhvilluar ndër shekuj”, tha Kurtulmuş.

“Midis popujve të Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes ka ura tepër të forta dhe këto duhet të forcohen edhe më tej”, shtoi ai, duke theksuar se në çdo platformë Türkiye nënvizon qasjen e saj miqësore dhe vëllazërore ndaj të gjithë popujve të Ballkanit pa dallim.

Ai tha se gjatë periudhës osmane, të gjithë popujt e Ballkanit kanë bashkëjetuar në paqe për gjashtë shekuj pavarësisht përkatësisë etnike ose fetare, duke shtuar se rendi i paqes i Perandorisë Osmane është "një nga faqet shembullore në historinë njerëzore”.

Kurtulmuş theksoi se pikërisht fakti që një popull e shikon veten superior ndaj tjetrit është arsyeja themelore e vrasjeve dhe gjenocideve që ndodhin në botë.

“Sot ende në botë, ekspansionizmi sionist, kjo ideologji e pakuptimtë, e cila e shikon veten superior ndaj të tjerëve, po shkakton gjakderdhje, lot dhe zjarr në rajonin e Lindjes së Mesme”, theksoi kryetari i parlamentit turk, duke shtuar se paqja në botë nuk mund të arrihet pa e konsideruar tjetrin të barabartë.

Në programin e organizuar në IBU morën pjesë edhe nënkryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Mahmut Çevik, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu, zyrtarë të IBU-së, kryetarë komunash, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, profesorë, studentë, si dhe mysafirë të shumtë.

Ndryshe, Kurtulmuş arriti dje në Shkup për një vizitë treditore së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë, Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputetët e AK Partisë, Kayhan Türkmenoğlu dhe Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së, Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet, Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

Ai në Shkup u takua me homologun e tij Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa po ashtu mori pjesë në një pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.

Kurtulmuş gjithashtu do të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar në Shkollën Maarif në Tetovë me rastin e 21 Dhjetorit.

Dje, komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut shënoi Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore "Tefeyyüz" në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut.

TRT Balkan / agjencitë