Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen kornizë ushtarake me Türkiyen / Photo: AA

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar marrëveshjen kornizë ushtarake midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Türkiyes.

Marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë dy të tretat e votave nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshjen ushtarake me Türkiyen e votuan 85 deputetë të Kuvendit, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Këtë marrëveshje e prezantoi para deputetëve ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në mungesë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Peci tha se nëpërmjet saj parashihet bashkëpunim i dy vendeve ndër të tjera edhe në stërvitje dhe operacione paqeruajtëse.

"Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri dhe mbrojtje, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare kundër terrorizmit e të tjera. Në mënyrë që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi në përputhje me dispozitat e ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare, kërkoj të votohet ky projektligj", theksoi Peci para deputetëve të Kuvendit.

Marrëveshja kornizë ushtarake u nënshkrua nga ministri Mbrojtjes Kombëtare i Türkiyes, Yaşar Güler dhe ministri Maqedonci gjatë vizitës së ministrit kosovar në Türkiye, më 29 janar të këtij viti.

AA