Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime me BeH

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime me BeH

Ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe i disa të tjeravë vijnë si rezultat i nismës së Procesit të Berlinit.
Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftime me BeH.     /Foto: Kuvendi i Kosovës 

Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit më 3 nëntor të vitit 2022.

Me shumicë votash, deputetë miratuan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve tha se Procesi i Berlinit u rifreskua me udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe më 3 nëntor të vitit 2022 u nënshkruan tre marrëveshje nga gjashtë kryeministra si një marrëveshje shumë e rëndësishme edhe për Kosovën "lidhur me lëvizshmërinë të cilën e kemi synuar kaherë".

Ai tha se në tria marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit më 2022, marrëveshja e cila më së shumti zuri vend tek opinioni publik ishte ajo për lëvizje vetëm me letërnjoftime më vendet fqinje përfshirë këtu Bosnjë e Hercegovinën "me të cilën kemi marrëdhënie të vështira për shkak të vetos të Republikës Serbe atje".

"Mirëpo, edhe kryeministri i Bosnjë e Hercegovinës ose kryetari i Qeverisë, siç është atje, e i cili është nga komuniteti serb, po ashtu nënshkroi më datë 3 nëntor në Berlin dhe kjo na bën optimist se kjo marrëveshje edhe në Bosnjë e Hercegovinë do të mund të ratifikohet duke kaluar si projektligj dhe ta mundësojë më në fund qarkullimin e qytetarëve nga Republika e Kosovës në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas vetëm me karta të identitetit", theksoi Kurti.

Kryeministri kosovar tha se ratifikimi i marrëveshjes edhe nga pala boshnjake do të bënte që Prishtina dhe Sarajeva të krijojnë një urë të re institucionale, por edhe qytetare "e cila është pritur shumë moti".

Marrëveshja për lëvizje vetëm me letërnjoftime midis qytetarëve kosovarë dhe atyre boshnjakë u miratua nga Qeveria e Kosovës më 8 shkurt, ndërsa do të votohet sot në Qeverinë e BeH-së. Qytetarët e BeH-së, e cila ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe qytetarët kosovarë deri më tash është dashur të pajisen me vizë për të udhëtuar në shtetet përkatëse. Pasi Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë, autoritetet në Bosnjë e Hercegovinë, të ndikuar nga elementi serb brenda shtetit vendosën viza për qytetarët e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë