Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën në mbështetje të Kosovës / Foto: AA

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e posaçme parlamentare rezolutën që shpreh përkrahjen për sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

Pas diskutimeve që zgjatën disa orë, rezoluta u miratua me 101 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Në rezolutë thuhet se Kuvendi është thellësisht i shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës "pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023".

"Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën plenare të datës 28 shtator 2023; kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës", thuhet në rezolutë.

Gjithashtu, theksohet se Kuvendi i Shqipërisë inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me "aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj".

Gjatë fjalës në seancë ku ishte thirrur në interpelancë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se lajmi i vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës në krye të detyrës "ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë".

"Por, fakti i thjeshtë është se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë. Kështu që, kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, pse rrjeti i kufirit në veri është e çarë nga të katër anët? Problemi nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri antishtet për Republikën e Kosovës!", u shpreh Rama.

Rama tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka divergjenca botëkuptimore, sipas tij, mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në seancë tha se mbështetja e Shqipërisë për të zgjeruar gjeografinë e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, forcimin e profilit të saj si subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe mbështetja e anëtarësimin në institucionet euro-atlantike, garantimin e stabilitetit e sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm e gjithnjë e më të ngushtë, janë një prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.

"Sulmi kriminal i 24 shtatorit ishte një kambanë alarmi për të gjithë ne. Për më tepër, zhvillimet që ndodhën më pas janë një burim i madh shqetësimi. Fakti që në vend që të ndërmerrte një hetim të shpejtë, serioz e të plotë për atë grup, për lidhjet e tij, planifikimin, financimin dhe mbështetjen, Serbia vendosi të shpallë me nxitim një ditë zije për 3 kriminelë, synimi i të cilëve ishte cenimi më dhunë i rendit e sigurisë në Kosovë, ishte një sinjal jo vetëm i keq, por edhe më i rrezikshmi që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe mbarë komunitetit euro-atlantik", tha Hasani.

Deputeti i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, duke iu referuar edhe deklaratave të kryeministrit Rama për KFOR-in në Kosovë, tha se "Që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës do të ishte një shpallje e padeklaruar e protektoratit ndërkombëtar".


AA