Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka takuar në Prishtinë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Në një konferencë për gazetarë pas takimit me zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi, Lajçak tha se me të kanë diskutuar edhe për planin e rritjes së BE-së, pasi, sipas tij, ky është një instrument financiar që ofron 6 miliardë euro për partnerët e Ballkanit Perëndimor.
“Arsyeja e kësaj vizite sot në Prishtinë dhe nesër në Beograd është të diskutojmë se si të rifokusojmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çfarë hapash konkretë do të ndërmarrim. Sigurisht, e kemi marrëveshjen, duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj. Çështja e dytë lidhet me planin e rritjes, pasi ky është një instrument i ri financiar që Bashkimi Evropian po ofron 6 miliardë euro për partnerët e Ballkanit Perëndimor, por për Kosovën dhe Serbinë kjo shpërndarje parash është e kushtëzuar edhe nga angazhimi i tyre konstruktiv në dialog dhe jam unë ai që duhet ta jap këtë vlerësim”, tha Lajçak.
Ndërkaq, kur u pyet për raportin e Borrellit që ua dërgoi vendeve të BE-së për masat që akoma i ka Kosova në fuqi të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023, Lajçak tha se raporti në fjalë diskutohet nesër dhe më pas gazetarët do të informohen.
Lajçak gjithashtu foli edhe për hapjen e urës së Ibrit, duke thënë se kjo është çështje e dialogut.
Ai tha se qëndrimi i BE-së është që ura të jetë e hapur, por që bërë në atë mënyrë që të mos përshkallëzohet situata, duke shtuar se ai ka propozuar që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut.
“Çështja e urës është çështje e dy marrëveshjeve të dialogut, e vitit 2015 dhe 2016. Qëndrimi i Bashkimit Evropian ka qenë që ura duhet të jetë e hapur, por duhet bërë në atë mënyrë që të mos përshkallëzojë situatën në terren dhe prandaj në mënyrë ideale duhet të diskutohet me njerëzit e prekur. Unë u ofrova ta organizoj atë diskutim në kuadër të dialogut, në mënyrë që të bëhet në frymën e atmosferës së mirë dhe marrëdhënieve të mira”, shtoi Lajçak.
I pyetur për mundësinë e vendosjes së masave ndaj Serbisë pas sulmit të Banjkës në shtatorin e vitit të kaluar, Lajçak tha se këto vendime i takojnë shteteve anëtare të BE-së, por që blloku është i përkushtuar t’i mbajë përgjegjës të gjithë të përfshirët në këtë sulm.
I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, theksoi se ai është pro largimit të masave ndaj Kosovës dhe se këtë gjë ua ka përsëritur vendeve të BE-së, por që ai vetë nuk është pjesë e këtij procesi.