Lajçak në Prishtinë: Ura e Ibrit duhet të hapet, po në koordinim me aleatët.   /Foto: Reuters

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Marrëveshja e Ohrit (Prishtinë - Beograd) është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, si dhe se BE-ja po punon që i gjithë procesi të përshpejtohet. Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me zëvendësministrin për Integrim evropian dhe kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, me çka shtoi se në takim kanë diskutuar edhe për hapjen e urës së Ibrit, duke përsëritur se ura duhet të hapet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i mirënjohur, por duhet ta përsërisë, që duhet të hapet ura, por që hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe këtë e diskutuam”, ka thënë Lajçak.

Duke folur për marrëveshjet e Brukselit dhe atë të Ohrit, ai theksoi se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe se është duke u punuar në implementim.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe jemi duke punuar në implementim. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe kemi diskutuar edhe me Kosovën, edhe me Serbinë, si të përshpejtojmë zbatimin. Letra (e ish-kryeministres Ana Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu e atje që nuk ndihmojnë fare. Por, marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe përtej kësaj, marrëveshja tashmë është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Për paralajmërimin e bllokimit të disa pikave kufitare nga serbët gjatë ditës së sotme për shkak, Lajçaku shpreson të mos ketë bllokime pasi nuk ka arsye.

TRT Balkan / agjencitë